Bajrami: Presidenti nga LDK-ja do ta garantonte balancimin e pushteteve
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se aktualisht nuk ka marrëveshje për koalicion mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LV), por ka vlerësuar se posti i presidentit nga radhët e LDK-së do të shërbente si mekanizëm për balancimin e pushteteve në vend.
Bajrami ka thënë se çdo marrëveshje do të vlerësohet vetëm pasi të njihen detajet e saj, ndërsa përsëriti kundërshtimin e saj për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Tani për tani nuk ka marrëveshje, nuk ka koalicion, kështu që nuk mund të jap qëndrim për diçka që nuk ekziston. Nuk i di detajet e takimit, por nga ajo që kam parë në media, kryetari i LDK-së me të drejtë insiston në pozitën e presidentit”, ka thënë Bajrami.
Sipas saj, marrja e kësaj pozite nga LDK-ja do të krijonte një ekuilibër institucional dhe do të ishte në interes të vendit.
“Pozita e presidentit do të siguronte një balancim të pushteteve në Kosovë dhe kjo do të ishte një siguri për Kosovën, por edhe për LDK-në”, është shprehur ajo.
E pyetur nëse do të mbështeste një marrëveshje ku presidenti nuk do t’i takonte LDK-së, Bajrami tha se nuk mund të japë një përgjigje pa parë përmbajtjen e saj.
Ajo përmendi se ka pasur marrëveshje të ndryshme politike në të kaluarën, duke theksuar se çdo opsion duhet të shqyrtohet me seriozitet.
Bajrami tha se është kundër shkuarjes në zgjedhje të reja dhe se mbështet arritjen e një marrëveshjeje që, sipas saj, do të ishte në interes të Kosovës.
“Duhet të mbizotërojë interesi i Kosovës dhe t’i mbivendoset çdo interesi personal”, ka deklaruar Bajrami.



