Komuna e Podujevës shpall gjendje emergjente për shkak të mbeturinave
Shtabi Emergjent për Mbrojtje dhe Shpëtim i Komunës së Podujevës ka shpallur gjendje emergjente për shkak të situatës së rënduar me mbeturinat.
Sipas njoftimit të komunës, kjo gjendje është shkaktuar nga mosbartja e mbeturinave nga operatorët përgjegjës. Gjendja emergjente do të jetë në fuqi nga 5 gushti deri më 5 nëntor 2026.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka deklaruar se menaxhimi me mbeturinat në qytet dhe fshatra është rënduar gjatë muajve të fundit.
Sipas tij, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi”, për shkak të pamundësisë për të ofruar shërbime në disa zona, kishte kërkuar më herët lirimin nga përgjegjësia për shërbimin në fshatra, i cili më pas i është kaluar kompanisë private “Natyra”.
Bulliqi tha se tashmë probleme ka edhe në qytet, ku sipas tij ka raste kur kompania operon vetëm me një kamion ose nuk ofron shërbim fare.
“Për shkak të kësaj gjendjeje që është krijuar, ku tash i kemi edhe mërgimtarët këtu dhe vëllimi i mbeturinave është rritur, duke pasur parasysh shëndetin e qytetarëve, kam marrë një rekomandim nga Drejtoria e Shërbimeve Publike që të shpallim gjendjen emergjente”, ka deklaruar Bulliqi.
Propozimi për shpalljen e gjendjes emergjente është miratuar njëzëri.
Me vendimin e kryetarit të komunës, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit është obliguar të hartojë dhe zbatojë planin operacional emergjent për grumbullimin, transportimin dhe largimin e mbeturinave, si dhe të iniciojë procedurën e përshpejtuar të prokurimit për sigurimin me qira të tre kamionëve dhe tre vozitësve, të cilët do të operojnë në kuadër të KRM “Pastrimi”.



