S’arriti marrëveshje me Abdixhikun, por për Kurtin lajm dje ishte që s’mundi të takohej me Gjinin

05 gusht 2026 | 10:59

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas takimit të mbrëmshëm në Kuvend me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se lajmi kryesor, sipas tij, nuk ishte mungesa e një marrëveshjeje me LDK-në, por fakti se nuk arriti të takohej me kryetarin e ri të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini.

“Ajo që fatkeqësisht është lajm sot në Kosovë, është që nuk arrita të takohem sërish me kryetarin e ri të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ardian Gjini – i cili është njëkohësisht edhe kryetar i Komunës së Gjakovës – përkundër përpjekjeve tona”, ka thënë Kurti.

Ai e ka cilësuar të paarsyeshme mungesën e një takimi mes tyre.

“Politikanët në Kosovë, edhe vendorë, por edhe me diplomatët ndërkombëtarë, takohen aq shpesh, saqë pothuajse secili me secilin. E tash të mos takohet vetëm kryeministri, përkatësisht unë, me kryetarin e një komune, përkatësisht kryetarin e AAK-së, Gjini, besoj që ky është lajm sot në Kosovë”, është shprehur ai.

Sipas Kurtit, Gjini është “vetëpërjashtuar” nga ky proces, ndërsa ka theksuar se interesi shtetëror duhet të jetë mbi mospajtimet politike.

“Për interes shtetëror, edhe nëse kemi mospajtime, nuk besoj që të gjitha mospajtimet ngelen të tilla nëse ne takohemi edhe përpiqemi që t’i urëzojmë ato”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, i është përgjigjur ftesës së Kurtit duke bërë të ditur se nuk sheh “fare arsye” për një takim.

Në letrën e kthimit, Gjini ka rikujtuar se Aleanca nuk ka interes të bëhet pjesë e qeverisë së re, por ka ofruar mbështetje për formimin e institucioneve nëse Lëvizja Vetëvendosje pranon gjashtë kërkesat e saj.

“I nderuar z. Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Në letrën kthyese të datës 9 korrik 2026, Aleanca e ka qartësuar pozicionin e vet sa i përket themelimit të institucioneve. Aty ju kemi bërë të ditur se nuk kemi kurrfarë interesi që të jemi pjesë e Qeverisë së Kosovës, në asnjë format. Po ashtu, e kemi ofruar mundësinë e ndihmesës për themelimin e institucioneve dhe evitimin e zgjedhjeve të reja, duke pasur parasysh pikërisht zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Ne kemi vendosur gjashtë pika që besojmë se janë interes jetik për Kosovën dhe qytetarët e saj, ndërkohë nuk e kemi marrë asnjë përgjigje direkte ose indirekte për to”, ka shkruar Gjini.

Ai ka rikujtuar edhe gjashtë kërkesat e Aleancës, të cilat përfshijnë: pranimin e projektit të gazit amerikan si prioritet strategjik, nisjen e ndërtimit të termocentralit të ri me thëngjill, ngritjen e pragut të TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro, lirimin e tokës së punuar nga tatimi në pronë, financimin e projekteve infrastrukturore të mbetura pezull dhe ndarjen e 800 milionë deri në 1 miliard euro investime kapitale për Prishtinën.

“Prandaj, Aleanca nuk sheh fare arsye që të takohemi në këtë format”, ka përfunduar Gjini në letrën drejtuar Kurtit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cristiano Ronaldo ka vizituar Almerian pas ndeshjes miqësore ndaj Al…