Më 25 shtator, OVLUÇK-ja mban protesta kundër vendimit të Hagës në të gjitha qytetet e Kosovës
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka njoftuar se do të organizojë protesta në të gjitha qytetet e Kosovës ku ka degë dhe struktura të saj.
Vendimi është marrë pas një takimi me kryetarët e degëve të OVLUÇK-së. Protestat do të mbahen të premten, më 25 shtator 2026, nga ora 17:00, ndërsa dega e Prishtinës do t’i bashkëngjitet protestës në orën 21:00.
OVLUÇK-ja ka ftuar institucionet komunale dhe qytetarët që t’u bashkohen protestave në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe vlerave të luftës çlirimtare.
“OVLUÇK-ja mbështet dhe do të mbështesë çdo protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe luftës sonë çlirimtare, përderisa ato zhvillohen në mënyrë paqësore dhe nuk cenojnë rendin kushtetues”, ka njoftuar OVLUÇK-ja.
Organizata u ka bërë gjithashtu thirrje subjekteve politike dhe institucioneve shtetërore që të bashkohen dhe të nisin hartimin e një strategjie kombëtare.
Sipas OVLUÇK-së, kjo strategji do të duhej të garantonte mbështetje të plotë për krerët e UÇK-së deri në marrjen e vendimit nga Gjykata e Apelit.



