Kurti: Do të vazhdoj të jem kryeministër në detyrë, Haxhiu do të veprojë sipas Kushtetutës
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se do të vazhdojë ta ushtrojë funksionin e tij në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, ndërsa ka theksuar se edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, do të vazhdojë ta kryejë këtë rol sipas përcaktimeve kushtetuese.
Duke folur pas zhvillimeve në seancën konstituive të Kuvendit, Kurti është pyetur nëse pas betimit si deputet ai dhe Haxhiu mund të vazhdojnë t’i ushtrojnë funksionet aktuale.
“Unë vazhdoj të jem kryeministër në detyrë dhe do ta respektoj me plotni dhe përpikëri kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, përfshirë këtu edhe ligjin në fuqi”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se i njëjti parim vlen edhe për Albulena Haxhiun në funksionin e ushtrueses së detyrës së presidentes.
“Ndërkaq, po e ritheksoj, ashtu qysh vlen për mua si kryeministër në detyrë, njësoj edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, zonja Albulena Haxhiu, do ta respektojë me plotni e përpikëri kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë. Nuk kemi president, nuk kemi presidente, por kemi ushtruese të detyrës së presidentes e kjo është zonja Albulena Haxhiu dhe ajo do të vazhdojë të jetë e tillë, tamam siç e thotë Kushtetuta”, ka thënë Kurti.



