“Na mungon babai”, Osman Selmani në paraburgim në Beograd, reagon vajza e tij: Ishte refugjatë, kemi dëshmi

07 gusht 2026 | 22:04

Familja e Osman Selmanit ka reaguar lidhur me rastin e tij, duke bërë të ditur se ai ndodhet tashmë muajin e dytë në paraburgim në Beograd, nën akuzën për një vepër të pretenduar të krimit të luftës të kryer në Kosovë në qershor të vitit 1999.

Në një njoftim të publikuar nga vajza e tij, Florie Selmani, familja kundërshton akuzat, duke theksuar se ato, sipas tyre, nuk janë të mbështetura me prova relevante.

Familja Selmani ka dorëzuar, siç thuhet në njoftim, dokumente që përfshijnë vërtetimin origjinal të Komitetit të Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut dhe një deklaratë të përfaqësuesit të organizatës “Nëna Terezë” nga Resnja. Sipas familjes, këto dokumente dëshmojnë se në kohën kur pretendohet të ketë ndodhur ngjarja në territorin e Prishtinës, Osman Selmani së bashku me familjen e tij ndodhej si refugjat në një kamp dhe më pas në strehim familjar në Resnjë.

“Presim që Gjykata në Beograd t’i shqyrtojë me kujdes këto dëshmi dhe fakte, të cilat tregojnë rrethanat reale, dhe të marrë një vendim të drejtë”, thuhet në reagimin e familjes.

Familja shprehet se pret kthimin e Osman Selmanit pranë tyre dhe apelon për një proces të drejtë gjyqësor.

“Na mungon babai ynë çdo ditë. Presim me besim ditën kur drejtësia do të vihet në vend dhe ai do të kthehet pranë familjes së tij”, ka shkruar Florie Selmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka…