Konjufca i reagon Zelenskyt: Kosova e mbështeti Ukrainën që nga dita e parë, i vumë sanksione Rusisë
Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas deklaratave të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Beograd, ku ai rikonfirmoi mosnjohjen e Republikës së Kosovës nga Ukraina.
Konjufca ka thënë se Kosova i ka pritur me keqardhje deklaratat e Zelenskyyt, duke rikujtuar se që nga dita e parë e agresionit të Rusisë, Kosova ka qëndruar në mbështetje të Ukrainës.
Ai ka përmendur vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, ndihmën humanitare, strehimin e gazetarëve ukrainas, si dhe ndihmën dhe trajnimet ushtarake për Ukrainën.
Sipas Konjufcës, mbështetja është dhënë pavarësisht faktit se Ukraina nuk e njeh Kosovën, pasi solidariteti me një popull që mbron lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial është “çështje parimi”.
Konjufca ka theksuar gjithashtu dallimin mes Kosovës dhe Serbisë në raport me Rusinë, duke thënë se Kosova ka vendosur sanksione, ndërsa Serbia nuk është harmonizuar me sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Moskës.
Ai ka kundërshtuar edhe çdo përpjekje për ta paraqitur Kosovën si precedent për agresionin rus ndaj Ukrainës, duke theksuar procesin ndërkombëtar që i parapriu shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010.
“Për pikërisht këto arsye, përpjekjet e Rusisë për ta përdorur Kosovën si precedent ose justifikim për pushtimin, okupimin apo tentativën për aneksimin e territorit ukrainas janë historikisht dhe juridikisht të rreme. Nuk ekziston një paralele e tillë”, ka deklaruar Konjufca.
Në fund, ai ka ritheksuar mbështetjen e Kosovës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, por ka kundërshtuar trajtimin e Kosovës në kuadër të integritetit territorial të Serbisë.
“Ne do ta mirëprisnim njohjen e Republikës së Kosovës nga Ukraina. Një vendim i tillë do t’i forconte pikërisht parimet e lirisë, demokracisë dhe së drejtës ndërkombëtare që vetë Ukraina po i mbron sot”, ka thënë Konjufca.



