“Nuk mjafton kërkimfalja” – Deliu-Kodra kërkon shkarkimin e Elvis Hoxhës

09 gusht 2026 | 19:15

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar ndaj anëtarit të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Elvis Hoxha, pas publikimit të një montazhi të krijuar me inteligjencë artificiale ndaj deputetes së AAK-së, Time Kadriajt.

Deliu ka kërkuar që përgjegjësia për veprimet e zyrtarëve të emëruar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të mbahet edhe nga ai.

“Meqë vetë nuk merr përgjegjësi dhe nuk e sheh dorëheqjen si akt etik, përgjegjësinë duhet ta mbajë ai që e ka emëruar. Albin Kurti, i ka bërë këta njerëz këshilltarë dhe anëtarë të Kryesisë së Vetëvendosjes”, ka shkruar Deliu.

Ajo ka kritikuar, siç shprehet, sulmet ndaj pjesëtarëve të UÇK-së dhe përhapjen e narrativave që, sipas saj, vijnë nga Serbia.

“Kur njerëz që mbajnë poste të tilla fyejnë dhe sulmojnë pjesëtarët e UÇK-së, duke përhapur narrativa dhe lajme të rreme të Serbisë, heshtja e Kryeministrit nuk është më thjesht heshtje.

Është përgjegjësi politike.

Sepse kur i emëron, i promovon dhe i mban në poste, nuk mund të distancohesh nga përgjegjësia kur ata kalojnë çdo kufi”, ka shkruar ajo.

Deliu ka kërkuar veprime konkrete, duke thënë se nuk mjafton vetëm një kërkimfalje apo distancim formal.

“Nuk mjafton një kërkimfalje. Nuk mjafton as një distancim formal. Nëse ka përgjegjësi morale dhe politike, ajo duhet të pasohet me veprim: shkarkim nga detyra dhe përgjegjësi për secilin që ka përdorur postin për të përhapur shpifje e propagandë kundër pjesëtarëve të UÇK-së.

Turp!”, ka përfunduar Deliu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në varrimin…