Policia e Kosovës ndan 14 automjete hibride për policët e lagjes
Policia e Kosovës ka ndarë 14 automjete të reja hibride për policët e lagjes, me qëllim rritjen e efikasitetit në terren dhe forcimin e bashkëpunimit me komunitetin.
Menaxhmenti i Policisë së Kosovës po vazhdon përpjekjet për përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e efikasitetit të policëve të lagjes, duke synuar që ata të jenë më të pranishëm dhe më afër qytetarëve dhe nevojave të komunitetit.
Në kuadër të zbatimit të objektivave të Strategjisë së Policimit të Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi, si dhe forcimit të qasjes proaktive ndaj kërkesave të qytetarëve, Policia e Kosovës ka vazhduar mbështetjen për Divizionin e Policisë në Bashkësi dhe Parandalim.
Sipas policisë, automjetet e reja do të mundësojnë që policët e lagjes të kenë mobilitet më të madh gjatë angazhimeve të tyre në terren dhe të jenë më efikasë në adresimin e kërkesave të qytetarëve.
Kjo mbështetje synon gjithashtu forcimin e komunikimit dhe bashkëpunimit të drejtpërdrejtë ndërmjet Policisë së Kosovës dhe komuniteteve, në funksion të parandalimit të dukurive negative dhe rritjes së sigurisë publike.



