Ademi: Superliga e re sjell një risi të madhe, klubet do të kenë edhe futbollin e femrave

12 gusht 2026 | 21:31

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka folur për përgatitjet për fillimin e edicionit të ri të Superligës së Kosovës, 2026/27, duke theksuar se FFK-ja është e gatshme në aspektin organizativ.

Në një intervistë për RTK Radio, Ademi tha se janë përditësuar rregulloret e garave, ndërsa po zhvillohen seminare me delegatët dhe gjyqtarët para nisjes së kampionatit.

“FFK-ja, nga pjesa e vet që e bën për organizimin e garave të futbollit, sidomos të Superligës që fillon tash dhe të Ligës së Parë, pra garat zyrtare të këtyre ligave, jemi të gatshëm në të gjitha aspektet. Ka mbetur vetëm pjesa e delegatëve, që është duke u mbajtur një seminar me ta për të parë se çfarë ka ndryshime dhe risi”, ka deklaruar Ademi.

Ai shtoi se janë përditësuar të gjitha rregulloret e garave, me qëllim që të qartësohen edhe situatat që në të kaluarën nuk kanë qenë të definuara në mënyrë të plotë.

“Këto rregullore gjithmonë do të jenë në të mirë të futbollit. Edhe me referë janë duke u mbajtur seminare”, tha presidenti i FFK-së.
Risi e veçantë – futbolli i femrave
I pyetur se çfarë do ta veçojë edicionin 2026/27 nga kampionatet e kaluara, Ademi veçoi një ndryshim të rëndësishëm në organizimin e klubeve.

“Secili kampionat ka të veçantat e veta. Këtë si ligë do ta veçojë ajo se ekipet e Superligës do të kenë edhe futbollin e femrave. Të gjitha klubet janë duke punuar në këtë drejtim për t’i formuar ekipet e veta”, u shpreh Ademi.

Edicioni i ri i Superligës së Kosovës nis më 15 gusht 2026, ndërsa pritet të sjellë edhe risi të tjera në organizimin dhe zhvillimin e futbollit vendor.

Linku i intervistës:

https://youtu.be/s13jlVO-7C4?si=bjZNOJAv0IfLNKaQ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, ka reaguar lidhur…