Donika Kadaj-Bujupi: Aksioni politik në Kuvend nuk duhet të shndërrohet në përplasje fizike

12 gusht 2026 | 20:49

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, ka reaguar lidhur me aksionet e fundit të zhvilluara në Kuvend, duke bërë një krahasim me protestat e opozitës gjatë viteve 2015 dhe 2016.

Kadaj-Bujupi ka thënë se aksionet parlamentare, në demokracitë funksionale, duhet të ndërmerren për kauza madhore dhe për çështje që prekin drejtpërdrejt interesat e shtetit dhe qytetarëve.

Duke kujtuar veprimet e opozitës së atëhershme në Kuvend, ajo ka theksuar se kundërshtimi i tyre kishte të bënte me vendime që, sipas saj, preknin rendin kushtetues dhe integritetin e shtetit.

“Gazi ka qenë mjeti përmes të cilit është pamundësuar votimi në sallë. Objektivi ishte votimi, jo njeriu”, ka shkruar Kadaj-Bujupi.

Postimi i plotë i saj:

Aksionet në parlamente, kudo në botën demokratike, bëhen për kauza madhore. Sepse për temat e tjera deputetët kanë kanale të tjera ku veprojnë dhe komunikojnë.

Ato bëhen kur opozita gjendet përballë vendimeve që e ndajnë territorin e vendit ose cënojnë kufijtë. Kur merren vendime që prekin drejtpërdrejt jetën e njerëzve, privatizime, shitje të sektorëve strategjikë, vendime që shkaktojnë dëme të mëdha në jetë e mirëqenie. Kur bëhet fjalë për pushtimin e një vendi tjetër, për krime lufte, për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Edhe ne në Kosovë, gjatë viteve 2015 dhe 2016, kemi protestuar ashpër në Kuvend. Kundërshtimi ynë ka rrjedhur nga një varg vendimesh që preknin rendin kushtetues dhe integritetin e shtetit, të marra nga një qeveri që i kishte dy të tretat e votave në sallë.

Kemi bërë aksione. Për to jemi arrestuar dhe kemi bërë burg. Disa herë. Pastaj kanë ardhur proceset gjyqësore, që vijojnë ende sot, dhe si rrjedhojë disave prej nesh u është pamundësuar kandidimi në lista zgjedhore.

Ama asnjëri prej nesh nuk ka prekur me dorë, nuk ka shtyrë fizikisht dhe nuk është përleshur personalisht me asnjë nga deputetët e qeverisë së asaj kohe.

Gazi ka qenë mjeti përmes të cilit është pamundësuar votimi në sallë. Objektivi ishte votimi, jo njeriu. Dhe nuk u ndalëm aty, kauzën tonë e ngritëm para Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli marrëveshjen antikushtetuese. Kaq e thjeshtë. Ideja, objektivi, rruga institucionale dhe përgjegjësia e pranuar para ligjit. Ky është kriteri.

Sepse aksioni politik është e kundërta e përplasjes fizike.

Ajo që u organizua sot në Kuvend nuk i nënshtrohet të njëjtit kriter.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka nderuar pas…