‘Dyert janë të mbyllura për ne’, ‘jo, jo janë të hapura’ – ballafaqim mes Çitakut dhe Haxhiut në sallën e Kuvendit (video)

12 gusht 2026 | 12:09

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka hyrë në sallën e Kuvendit, ku po qëndronin bashkatdhetarë dhe të rinj me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.

Çitaku ka deklaruar se Kuvendi është i suspenduar dhe se dyert e sallës janë të mbyllura për deputetët e zgjedhur.

“Kuvendi i Kosovës është i suspenduar, unë jam deputete e zgjedhur, gjithë këta janë deputetë të zgjedhur, këto dyer janë të mbyllura për neve”, ka thënë Çitaku.

Në këtë moment ka ndërhyrë ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e cila e ka kundërshtuar deklaratën e Çitakut.

“Jo, jo të hapura janë”, ka thënë Haxhiu.

Çitaku ka vazhduar fjalimin e saj para të pranishmëve, duke theksuar se Kuvendi nuk është vetëm një ndërtesë, por një institucion për të cilin, sipas saj, është sakrifikuar shumë.

“Mua po më vjen mirë që janë hapur për juve. Por, Kuvendi nuk është thjesht objekt, nuk është ndërtesë me tulla, është institucion”, ka deklaruar ajo.

“Është dhënë gjak, mund, djersë, sakrificë, që Kosova me pasë institucione, me pasë Kushtetutë”, ka shtuar Çitaku.

Pas fjalimit të saj, Çitaku është duartrokitur nga të pranishmit, ndërsa janë dëgjuar edhe kërkesa për thirrjen e seancës.

“Thirreni seancën”, janë dëgjuar disa thirrje.

Çitaku ka vazhduar duke thënë se nuk duhet të krijohet përshtypja sikur në vend nuk po ndodh asgjë.

“Nuk guxojmë me u sjellë sikurse s’po ndodhë asgjë”, ka përfunduar ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madridi ka marrë një vendim të rëndësishëm për pjesën…