Pushteti mbi Kushtetutën
Kosova nuk po përballet më vetëm me një krizë politike. Kur Kuvendi nuk konstituohet brenda afateve kushtetuese, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese relativizohen dhe funksionet shtetërore vazhdojnë të ushtrohen përkundër kufizimeve ligjore, problemi tejkalon mosmarrëveshjen ndërmjet partive parlamentare. Tani, kemi të bëjmë me krizë të autoritetit të shtetit — dhe për këtë duhet të ketë përgjegjësi.
Në Kosovë është bërë zakon që, sa herë institucionet futen në bllokadë, përgjegjësia të shpërndahet me formulën komode se “fajtorë janë të gjithë”. Por në një rend kushtetues përgjegjësia nuk është abstrakte sepse ajo ndjek kompetencën. Kush ka kompetencën për të vepruar dhe, përmes veprimit apo mosveprimit, pengon funksionimin e institucioneve, duhet të mbajë përgjegjësi për pasojat.
Në rastin konkret, Kushtetuta ia njeh grupit më të madh parlamentar të drejtën për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit. Kjo nuk është dekoratë politike dhe as privilegj që mund të mbahet pezull derisa të përfundojnë negociatat për poste të tjera. Është kompetencë e dhënë për një qëllim konkret: konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve.
Nëse subjekti që e ka këtë kompetencë e zvarrit ushtrimin e saj për shkak të kalkulimeve për Presidentin, qeverinë apo ndarjen e pushtetit, situata nuk mund të përshkruhet thjesht si pamundësi e partive për t’u marrë vesh. Në fazën aktuale, përgjegjësia primare politike bie mbi subjektin më të madh parlamentar dhe liderin e tij, Albin Kurtin. Kushtetuta nuk e kushtëzon zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit me një marrëveshje paraprake për Presidentin apo qeverinë.
Marrëveshjet politike janë të ligjshme dhe shpesh të domosdoshme, por zhvillohen brenda rendit kushtetues dhe nuk mund të vendosen mbi të. Përndryshe krijohet një precedent i rrezikshëm kur një kompetencë kushtetuese të mos ushtrohet derisa bartësi i saj të fitojë koncesione në një proces tjetër. Atëherë Kushtetuta pushon të funksionoi si kufi i pushtetit dhe shndërrohet në instrument negocimi. Kjo shkatërron rendin kushtetues.
Aktgjykimet nuk janë sugjerime
Kosova nuk po përballet për herë të parë me bllokimin e konstituimit të Kuvendit. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar afate, ka sqaruar detyrimet e deputetëve dhe të kryesuesit të seancës dhe ka rikujtuar karakterin detyrues të vendimeve të saj.
Në rastet KO193/25 dhe KO196/25, Gjykata konstatoi moszbatimin e aktgjykimit të saj paraprak, gjeti cenim të nenit 116.1 të Kushtetutës dhe shpalli të pavlefshme veprimet parlamentare të ndërmarra pas kalimit të afatit. Pas kësaj, pyetja nuk është nëse aktgjykimi duhet zbatuar, por si të zbatohet plotësisht dhe pa vonesë.
Megjithatë, pas çdo aktgjykimi duket sikur nis një raund i ri interpretimesh politike, jo për zbatimin e vendimit, por për gjetjen e hapësirës për ta anashkaluar. Shpërfillja e një aktgjykimi që ka sqaruar mënyrën e zbatimit të Kushtetutës është goditje e drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues. Kur vendimet e Gjykatës bëhen objekt negociatash politike, shteti i së drejtës gërryhet nga brenda.
Çfarë ndodh me Qeverinë në detyrë?
Kriza e Kuvendit nuk duhet ta mbulojë një problem tjetër: ushtrimin e funksioneve qeveritare nga persona që njëkohësisht janë zgjedhur deputetë. Ligji për Qeverinë parashikon rregulla konkrete për anëtarët e Qeverisë në detyrë që fitojnë mandat parlamentar. Çështja është e qartë: a po zbatohen dispozitat për papajtueshmërinë dhe përfundimin e funksionit ekzekutiv?
Nëse persona të zgjedhur deputetë vazhdojnë të ushtrojnë autoritet ekzekutiv, institucionet kompetente duhet të tregojnë bazën ligjore që e lejon këtë. Në rast se të kundërt, ligji duhet zbatuar. Norma ligjore nuk mund të mbetet fakultative derisa dikush ta sfidojë në gjykatë. Respektimi i ligjit është, mbi të gjitha, detyrim i atij që ushtron pushtetin.
Po Gjykata Kushtetuese?
Kriza ngre edhe një pyetje për vetë sistemin: çfarë ndodh kur aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohen? Gjykata nuk ka kompetencë të përgjithshme për të iniciuar vetë çdo kontest të ri sepse Kushtetuta përcakton subjektet që mund ta vënë atë në lëvizje. Por zbatimi i aktgjykimeve ekzistuese është çështje tjetër.
Gjykata nuk mund të reduktohet në një institucion që vetëm prodhon aktgjykime. Rregullorja e saj parashikon mekanizma për monitorimin e zbatimit, kërkimin e informatave nga autoritetet përgjegjëse, konstatimin e mospërmbarimit dhe, në rrethana të caktuara, njoftimin e institucioneve kompetente. Aktiviteti më i madh në mbikëqyrjen e vendimeve nuk e bën Gjykatën aktor politik, por ai mbron autoritetin e saj kushtetues.
Kur afatet kalojnë, duhet kërkuar llogari institucionale. Kur një aktgjykim nuk zbatohet, kjo duhet konstatuar; kur mospërmbarimi krijon përgjegjësi për institucione të tjera, ato duhet të aktivizohen. Përndryshe krijohet një sistem absurd: Gjykata thotë “duhet”, politika përgjigjet “nuk duam”, ndërsa Republika pret parashtresën e radhës.
As opozita nuk lirohet nga përgjegjësitë sepse deputetët duhet të ushtrojnë mandatin e tyre dhe të mbrojnë rendin kushtetues. Por përgjegjësia nuk është e njëjtë për të gjithë. Nëse njëra palë ka kompetencë kushtetuese që pala tjetër nuk e posedon, përgjegjësia për mosushtrimin e saj nuk mund të jetë identike. Ajo duhet të jetë proporcionale me kompetencën.
Prandaj, barra kryesore për zhbllokimin e procesit bie mbi Albin Kurtin dhe subjektin që ai drejton. Kryesuesi i seancës përgjigjet për zhvillimin e procedurës sipas Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës. Deputetët përgjigjen për mandatin dhe votën e tyre ndërsa institucionet e drejtësisë për mbrojtjen e ligjshmërisë. Kurse Gjykata Kushtetuese duhet të siguroj që aktgjykimet e saj të mos mbeten dokumente pa pasoja institucionale.
Në fund, kjo është më shumë se një përplasje ndërmjet pushtetit dhe opozitës. Është test për një parim themelor: a qeveriset Kosova nga Kushtetuta dhe ligjet, apo nga vullneti i atij që disponon më shumë pushtet? Nëse përgjigjja është Kushtetuta, ajo duhet zbatuar edhe kur nuk i përshtatet pushtetit — madje, pikërisht atëherë. Republika nuk rrezikohet vetëm kur mungojnë ligjet, por ajo rrezikohet kur pushteti bindet se mund t’i shpërfillë ato pa pasoja.



