Tahiri: Kuvendi po bllokohet, po cenohet rendi kushtetues
Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka thënë se Kuvendi i Kosovës po bllokohet dhe se, sipas tij, po cenohet rendi kushtetues i vendit.
“Është një ditë që publiku dhe qytetarët janë duke parë që dyert e Kuvendit po mbyllen dhe Kuvendi po bllokohet. E patë edhe ju qasjen dhe mundësinë për të qenë këtu për t’i informuar qytetarët. Me cenimin e Kushtetutës, me tendencën e organizatën banditeske dhe përmes pushtetit po cenohet rendi kushtetues”, ka thënë Tahiri.
Ai ka deklaruar se PDK-ja, së bashku me Aleancën, po angazhohet për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe funksionalizimin e Kuvendit.
“Ne jemi bashkërisht me Aleancën për ta bërë punën tonë, me qëllimin që ta mbrojmë kushtetutshmërinë dhe ta funksionalizojmë Kuvendin. Dje i jemi drejtuar me shkresë zyrtare kryesuesit, në mënyrë që të vazhdojë seanca dhe të funksionalizohet Kuvendi. Përkundër kërkesës sonë, nuk ka gjetur mbështetje dhe nuk është thirrur vazhdimi i seancës”, ka deklaruar ai.
Tahiri ka paralajmëruar se, nëse shterohen të gjitha mundësitë, do të ndërmerren hapa të tjerë për mbrojtjen e shtetit.
“Është më shumë se shqetësuese dhe sigurisht që do të vazhdojmë me qëndrimin tonë. Sigurisht që, nëse shterren mundësitë, do të jenë hapat tanë të tjerë për ta mbrojtur shtetin. E kemi amanet me e ruajt dhe me e mbrojt”, ka thënë Tahiri.
Ai ka kritikuar Albin Kurtin, duke deklaruar se vendi për 18 muaj nuk ka pasur stabilitet dhe normalitet institucional.
“Që 18 muaj, prej kur Albin Kurti ka fuqinë më të madhe politike në këtë vend, nuk ka stabilitet e normalitet. Rrënohet tërësisht rendi kushtetues në vendin tonë. As nuk kemi qeveri, president, Kuvend. Shtrohet pyetja se çka është duke funksionuar”, ka thënë ai.
Në fund, Tahiri u ka bërë thirrje qytetarëve që të ngrenë zërin dhe të alarmojnë për, siç ka deklaruar ai, veprimet që po e dëmtojnë shtetin e Kosovës.
“Po ju kërkojmë që të ngrini zërin dhe të alarmoni kundër këtij njeriu, i cili është duke tentuar me veprime të tjera ta zhbëjë shtetin e Kosovës”, ka përfunduar Tahiri. /EO



