Tensionet në Kuvend, Hamza: Kapje brutale e shtetit, Kuvendi s’është pronë e Kurtit dhe as e LV-së

12 gusht 2026 | 13:36

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka reaguar lidhur me bllokadën institucionale, duke deklaruar se Kuvendi nuk është pronë e Albin Kurtit dhe as e Lëvizjes Vetëvendosje.

Hamza ka kërkuar që LV-ja ta thërrasë urgjentisht seancën për konstituimin e Kuvendit, ndërsa ka akuzuar Kurtin se po e zvarrit procesin për shkak të kalkulimeve politike.

“Kjo është kapje brutale e shtetit, shkelje e Kushtetutës dhe degradim i institucionit të të zgjedhurve të popullit. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë rekomandime që zbatohen vetëm kur i konvenojnë pushtetit”, ka shkruar Hamza në “Facebook”.

Hamza ka deklaruar se konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe nuk mund të kushtëzohet me marrëveshje politike, kalkulime elektorale apo interesa personale.

“Albin Kurti po e zvarrit procesin, sepse konstituimi i tashëm i Kuvendit ia prish kalkulimet politike. Sa më gjatë të mbahet vendi në këtë vakum institucional, aq më shumë hapësirë krijohet për skenarë të rinj politikë dhe zgjedhorë”, ka shkruar ai.

Hamza ka theksuar se kjo, sipas tij, përbën “kapje brutale të shtetit, shkelje të Kushtetutës dhe degradim të institucionit të të zgjedhurve të popullit”.

“Thirreni seancën. Respektoni Kushtetutën. Kuvendi duhet të konstituohet”, ka bërë thirrje Hamza.

Ai ka paralajmëruar se kushdo që mendon se mund ta mbajë Kosovën në “anarki kushtetuese dhe ligjore” për të realizuar kalkulime elektorale, sipas tij, “gabon rëndë”.

“Kuvendi duhet të konstituohet tash, menjëherë!”, ka përfunduar Hamza.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, është përplasur me deputetin e…