Lushaku-Sadriu: LDK-ja flet për vete, Kurti i ka numrat dhe përgjegjësinë për konstituimin e Kuvendit

14 gusht 2026 | 13:18

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se LDK-ja e ka bërë të qartë qëndrimin e saj dhe se përgjegjësia për konstituimin e Kuvendit tashmë i takon Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit të saj, Albin Kurti.

Lushaku-Sadriu ka thënë se Kurti i ka numrat dhe besimin e qytetarëve për të vazhduar me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, ndërsa për zgjedhjen e presidentit, LDK-ja është e gatshme të marrë pjesë në bisedime për gjetjen e një kandidati konsensual dhe ndërpartiak.

“Ai është mirë mos me na tregu se çfarë duhet me bë LDK-ja. LDK-ja flet për vete. LDK-ja e ka kryetarin edhe ka folur qartë dje. I kemi thënë që i ka të gjitha votat për konstituim, e ka krejt përgjegjësinë dhe besimin e qytetarëve për konstituim të institucioneve. Tash jemi në pozita të reja.  E lusim atë që ta thërrasë, le ta konstituojnë seancën edhe ta bëjë qeverinë. E pastaj për presidentin e kemi dëshmuar gatishmërinë tonë që të marrim pjesë në bisedime, për ta zgjedhur një president konsensual, ndërpartiak”, ka thënë ajo.

Lushaku-Sadriu ka deklaruar se LDK-ja e ka mbyllur diskutimin për një qeverisje të përbashkët me LV-në dhe kërkon konstituimin e menjëhershëm të Kuvendit.

“Kemi qenë tepër të qartë dje. E kemi mbyllur këtë temë edhe presim konstituim të menjëhershëm. Nëse i ka numrat, ja kanë besuar qytetarët, hajde bëje Kuvendin edhe bëje qeverinë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, qëllimi kryesor i të gjitha partive politike duhet të jetë funksionalizimi i Kuvendit, ndërsa ka bërë të ditur se LDK-ja do të përdorë edhe mjetet e saj politike për të ushtruar presion në këtë drejtim.

“Normalisht që ne jemi të kujdesshëm, i kemi mjetet tona si LDK, i kemi mjetet tona të presionit edhe të veprimit tonë politik, po gjithsesi i bashkohemi kauzës që Kuvendi të jetë i konstituuar sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë ajo.

Duke folur për presidentin, Lushaku-Sadriu ka thënë se LDK-ja tashmë e ka dëshmuar gatishmërinë për të marrë pjesë në diskutime, por ka theksuar se fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi dhe të formohet qeveria.

“Rendi i gjërave, siç thoshte Kurti dikur, është që Kuvendi në mënyrë imediate të konstituohet, qeveria, e pastaj kur vijmë tek presidenti janë edhe 60 ditë që mund të diskutojmë edhe të zgjedhim një emër”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka thënë se nuk ka arsye që procesi të shtyhet edhe për 30 ditë, pasi sipas saj, LV-ja i ka numrat dhe partnerët e nevojshëm për formimin e qeverisë.

“Numrat i ka, partnerët e tij i ka, i ka mbi 60 vota, le të shkojmë në Kuvend dhe le ta bëjë qeverinë, le ta bëjë konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Nuk ka asnjë arsye as për ta shtyrë 30 ditë, as për të bërë tejkalime kushtetuese të tjera”, ka thënë Lushaku-Sadriu.

Lushaku-Sadriu ka deklaruar gjithashtu se LDK-ja do t’i përdorë të gjitha mjetet juridike për të adresuar paqartësitë kushtetuese, por ka kërkuar që çështjet e trajtuara tashmë nga Gjykata Kushtetuese të mos dërgohen vazhdimisht për interpretim.

Sipas saj, institucionet duhet të konstituohen sa më shpejt dhe përgjegjësia për këtë proces tashmë është te partia fituese e zgjedhjeve. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës (AAC) dhe Agjencia e…