Emini: Bllokada e favorizon LV-në, opozita e dobët dhe e përçarë
Analistja politike, Donika Emini, ka thënë se kriza institucionale në Kosovë nuk mund të zgjidhet në mënyrë të qëndrueshme pa kompromis dhe bashkëpunim mes partive politike.
Ajo ka vlerësuar se vazhdimi i bllokadës e vendos Vetëvendosjen në pozitë të favorshme, pasi Qeveria në detyrë vazhdon të ushtrojë pushtetin pa mbikëqyrjen e një Kuvendi funksional.
Emini ka thënë për “REL”-in se sa më gjatë të zgjasë kjo situatë, aq më shumë konsolidohet kontrolli i LV-së mbi institucionet, duke paralajmëruar edhe rrezikun e kapjes së shtetit.
Përgjegjësi për krizën, ajo ka atribuar edhe opozitës, të cilën e ka përshkruar si të dobët, të përçarë dhe pa strategji të përbashkët.
Në fund, Emini ka thënë se as zgjedhjet e reja dhe as një vendim tjetër i Gjykatës Kushtetuese nuk do të sjellin zgjidhje të qëndrueshme pa vullnet politik për kompromis, ndërsa nuk ka pritur ndonjë ndërhyrje të fuqishme ndërkombëtare.



