Gjimnazistët ferizajas shënojnë 50-vjetorin e diplomimit
Në Ferizaj takohen maturantët e brezit të artë
Shkruan: Ali Uka
Gjenerata e artë, gjenerata e shumë sfidave dhe sakrificave, ditë më parë shënoi 50-vjetorin e diplomimit. Bëhet fjalë për njërën ndër gjeneratat më të suksesshme që ka dalë nga Gjimnazi i Ferizajt, gjenerata e viteve 1972–1976. Në shënimin e 50-vjetorit kishin ardhur shumica e ish-nxënësve dhe profesorëve të kësaj gjenerate të shkëlqyeshme, e cila dallohej për mësimdhënës të përkushtuar dhe të suksesshëm. Suksesi i kësaj shkolle ishte meritë e stafit të saj, por edhe e nxënësve, të cilët në ato vite i kishin vënë vetes një detyrë të madhe: vetëm me punë, përkushtim dhe dije t’ia dilnin mbanë në edukimin dhe shkollimin e brezave që do të vinin pas tyre.
Kjo maksimë bëri që nxënësit e gjimnazit të kryenin me sukses studimet universitare dhe doktoraturat në profile të ndryshme, si mjekësi, inxhinieri, histori, gjuhësi, gjeografi e shumë fusha të tjera. Shumë prej tyre, pas diplomimit, do të kontribuonin jo vetëm për qytetin nga i cili vinin, por edhe për Kosovën dhe kombin shqiptar. Takimin e bëri edhe më madhështor prania e profesorëve, të cilët, edhe përkundër moshës së shtyrë, lanë mbresa të veçanta te nxënësit e tyre.
E veçanta e këtij takimi ishin rrëfimet plot emocione të profesorëve drejtuar ish-nxënësve, fjalët plot nostalgji dhe kujtimet e shumta. Me emocione të veçanta u përcollën fjalët e profesorëve Ramadan Ramadani, Jakup Tasholli, Ekrem Bejta e të tjerëve. Organizatorët meritojnë lavdata për organizimin e këtij takimi, i cili u dha mundësinë ish-nxënësve që, pas pesëdhjetë vjetësh, të takoheshin sërish me njëri-tjetrin.
Ndryshimet në fytyrat e të gjithëve ishin të dukshme, por pikërisht kjo e bëri edhe më të ngrohtë atmosferën. Malli, kujtimet dhe bisedat mes tyre ishin të përzemërta. Në fytyrat e secilit shihej buzëqeshja dhe dashuria për vitet e rinisë. Secili shprehte me respekt kujtimet dhe rrugëtimin e tij jetësor, pasi shumica, pas përfundimit të gjimnazit, nuk ishin takuar me dhjetëra vjet me njëri-tjetrin.

“Pesëdhjetë vjet janë një jetë e tërë”
Mjaft i emocionuar u shpreh Ramadan Ademaj, ish-nxënës i gjimnazit, i cili, në emër të Këshillit Organizativ, mbajti një fjalë rasti. Ndër të tjera, ai tha: “Pesëdhjetë vjet janë një jetë e tërë, por sa herë që takohemi, më duket sikur është ndalur koha. Në kujtesën tonë mbeten të freskëta bankat e shkollës, zëri i profesorëve, ëndrrat dhe entuziazmi i rinisë. Gjenerata jonë ishte një brez nxënësish që u rrit për dije, për disiplinë, për respekt dhe dashuri, për të kontribuar për vendin. Secili prej nesh, gjatë këtyre pesë dekadave, ka dhënë kontributin e vet në familje, shoqëri dhe në ndërtimin e shtetit.
Nga kjo gjeneratë, e cila ishte ndër më të suksesshmet, dolën profesorë, mjekë, inxhinierë, juristë, sportistë, drejtues institucionesh e të tjerë, të cilët, me punën e tyre, nderuan Gjimnazin e Ferizajt. Të gjitha këto të arritura janë edhe meritë e profesorëve tanë, të cilët, me përkushtim dhe angazhim të madh, kontribuuan në ngritjen dhe realizimin e aspiratave tona për dije, shkencë dhe kulturë, duke dhënë një kontribut të çmuar për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.
Kjo gjeneratë ishte edhe gjeneratë e sakrificës, e cila u rrit dhe u burrërua duke përjetuar shumë padrejtësi. Për të mbijetuar, ajo kërkoi guxim, sakrificë, qëndresë dhe përkushtim për realizimin e idealeve për liri. Shumë profesorë dhe nxënës sakrifikuan për lirinë e Kosovës. Madje pati edhe dëshmorë dhe luftëtarë, të cilët me gjakun e tyre shkruan faqet më të ndritura të historisë. Në këtë mbrëmje përulemi me respekt para kujtimit të tyre. Edhe pse ata sot fizikisht nuk janë më në mesin tonë, ata janë në zemrat tona dhe në kujtesën e popullit tonë. Kjo na bën të ndihemi krenarë, por njëkohësisht kemi edhe një barrë të rëndë: t’i ruajmë dhe t’ua përcjellim brezave të rinj vlerat për të cilat ata u flijuan. Gjithashtu, me respekt kujtuam shokët dhe profesorët të cilët nuk janë më në mesin tonë.” Në fund, shumë ish-nxënës shprehën falënderimet e tyre për profesorët dhe sollën në kujtesë pjesë nga vitet e shkollimit, duke ndarë kujtime nga periudha e gjimnazit dhe nga jeta e tyre pas përfundimit të shkollës. Pas shumë emocionesh, bisedash dhe kujtimesh të zjarrta, ish-nxënësit nuk harruan të bënin edhe fotografi me profesorët e tyre, duke e përmbyllur kështu një takim të paharrueshëm, pas plot pesë dekadash.



