LV-ja mbledh drejtuesit e qendrave në Gjilan, i pranishëm edhe Kurti
Dje, në zyrat e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Gjilan, u mbajt mbledhja e përbashkët me drejtuesit e të gjitha qendrave të Lëvizjes në Kosovë.
Në takim morën pjesë kryetari i LV-së dhe njëherësh kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sekretari organizativ, Alim Rama, si dhe koordinatori i qendrave, Salih Zyba.
Në takim u diskutua për situatën aktuale politike, me theks të veçantë në zhvillimet në procesin e konsolidimit të institucioneve.
Po ashtu, pjesë e diskutimeve ishin edhe çështjet organizative, forcimi dhe konsolidimi i organizimit në terren, procesi i zgjedhjeve të brendshme, funksionimi i strukturave organizative në bazë, planifikimi i punës dhe rritja e angazhimit në çdo lagje e fshat.
Mbledhja u zhvillua në një ditë të veçantë për Lëvizjen Vetëvendosje!, pasi u shënua edhe 21-vjetori i themelimit të qendrës së parë të Lëvizjes, Qendrës së Gjilanit.
Me këtë rast, pas mbledhjes, u organizua edhe një koktej rasti për shënimin e këtij përvjetori.
“21 vjet organizim, aktivizëm dhe përkushtim në shërbim të qytetarëve. Një rrugëtim që vazhdon me edhe më shumë punë dhe përkushtim për Republikën tonë”, ka njoftuar LV-ja.



