Dështon përpjekja për shkarkimin e Driton Selmanajt
Iniciativa për shkarkimin e tij, e mbështetur nga lidershipi i kryetarit Lumir Abdixhikut, dështoi të premten, konstatoi Komisioni Ad-Hoc i themeluar për shqyrtimin e kërkesës për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të kësaj dege.
Komisioni, i përbërë nga katër anëtarë, i dha fund përpjekjes për shkarkimin e Selmanajt nga pozita e kryetarit për shkak të mosplotësimit të kushteve statutare.
Sipas raportit të komisionit, numri i nënshkrimeve të delegatëve nuk ka qenë i mjaftueshëm për përmbushjen e kushteve të përcaktuara në Statutin e LDK-së për thirrjen e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm.
Kërkesa, fillimisht kishte mbërritur në Degën e LDK-së në Prizren me 37 nënshkrime. Por, në momentin e dorëzimit të listës, dy delegatë janë tërhequr me pretendimin se ishin vendosur në lajthitje rreth qëllimit të kësaj nisme nga iniciuesi i saj.
“Komisioni ad-hoc vlerëson që kërkesa për thirrjen e Kuvendit të Jahstëzakonshëm të Degës së LDK-së në Prizren të konsiderohet e papranueshme për shkak të mosplotësimit të kriterit staturor të numrit të nevojshëm të delegatëve nënshkrues, të përcaktuar me nenin 43.3 të Statutit të LDK-së”, thuhet në raport.
Në arsyetimin e tyre për tërheqjen e nënshkrimeve, disa prej delegatëve kanë deklaruar se nuk kanë qenë të informuar se nënshkrimet e tyre do të përdoreshin për inicimin e një procedure për shkarkimin e Selmanajt.
Një pjesë e tyre kanë pretenduar se u është thënë se nënshkrimet nevojiteshin për një mbledhje të zakonshme të degës dhe jo për thirrjen e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm me qëllim shkarkimin e kryetarit.
Me këtë vendim, Driton Selmanaj do të vazhdojë të jetë në krye të Degës së LDK-së në Prizren.
Nisma për largimin e tij nga kjo pozitë shihet si akt “hakmarrës” i kryetarit aktual të LDK-së, Lumir Abdixhikut, i cili i shpëtoi këtë vit dy votëbesimeve në kuvendet e jashtëzakonshme të partisë. I fundit më 27 korrik.
Selmanaj ka qenë ndër zërat kritikë ndaj Abdixhikut, ndërsa më herët kishte kërkuar edhe dorëheqjen e tij nga drejtimi i partisë.




