Prezenca e SHBA-së dhe BE-së në Kuvend, analistët komentojnë rolin e ndërkombëtarëve në krizën politike

28 gusht 2026 | 20:15

Përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe të Bashkimit Evropian kanë marrë pjesë sot në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës janë mbledhur për të kërkuar sërish vazhdimin e seancës konstituive.

Analisti politik Shemsi Jashari dhe analistja Fatime Hajdari kanë komentuar praninë e përfaqësuesve të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Jashari, i ftuar në emisionin “FIVE” në TV Dukagjini, ka shprehur shqetësim për atë që e konsideron si një prani dhe ndikim më të vogël të përfaqësuesve amerikanë në zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

Sipas tij, nëse ndikimi i Ambasadës Amerikane në proceset politike po konsiderohet i vogël, kjo përbën një shenjë jo të mirë për Kosovën.

“Ajo që është shqetësuese për qytetarët po duket se nuk mund të qëndrojnë indiferent as ndërkombëtarët që kanë kontribuar në shtetndërtim – ndikimi i Ambasadës Amerikane po thuhet se është i vogël, atëherë është një shenjë e keqe për Kosovën”, ka deklaruar Jashari.

Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara, sipas tij, kanë pasur rol të rëndësishëm në Kosovë që nga përfundimi i luftës dhe se duhet të ketë shqetësim për arsyet e një pranie më pak të dukshme të përfaqësuesve amerikanë.

Jashari ka kritikuar edhe qasjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndaj partive opozitare, duke e cilësuar situatën institucionale në vend si “një paqartësi të madhe”.

Sipas tij, Kurti po synon që partitë opozitare t’i përshtaten qasjes së tij politike, ndërsa këtë e ka krahasuar me një “prirje komuniste”.

Në anën tjetër, analistja Fatime Hajdari ka vlerësuar se prania e përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kuvend është pozitive, por ka theksuar se ndikimi i tyre në proceset e fundit zgjedhore ka qenë pothuajse i pavërejtshëm.

“Është mirë që të duken aty, përkundër që e kemi parë që në proceset e fundit zgjedhore ndikimi i tyre, me vetëdëshirën e tyre, ka qenë pothuajse i pavërejtshëm. Me siguri e kanë parë që në këtë fazë ndikimi i tyre është i panevojshëm”, është shprehur Hajdari.

Ajo ka thënë se në të kaluarën përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë qenë më të angazhuar në zgjidhjen e ngërçeve politike, ndërsa tani, sipas saj, akterët politikë në Kosovë duhet t’i zgjidhin vetë proceset politike.

“Mendoj që akterët politikë duhet t’i zgjedhin vetë proceset politike, qoftë subjekti politik që po merr mbështetjen qytetare, qoftë partitë opozitare”, ka deklaruar Hajdari.

Ndërkohë, deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës janë paraqitur edhe sot në sallën e seancave të Kuvendit të Kosovës. Në sallë kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së dhe Zyrës së Bashkimit Evropian./Tv Dukagjini

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, i është drejtuar Qeverisë në…