Qumështoret kërkojnë rikthimin e prodhimit, paralajmërojnë ndërprerjen e grumbullimit nga 1 shtatori
Përfaqësues të Shoqatës së Industrisë së Qumështit të Kosovës kanë dorëzuar të premten kërkesat e tyre në Ministrinë e Bujqësisë, duke kërkuar takim me ministrin në detyrë, Armend Muja.
Aata kanë kërkuar rikthimin e menjëhershëm të prodhimit të produkteve të qumështit. Po ashtu, ata kanë kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) që ta lëshojë një komunikatë zyrtare përmes së cilës do të konfirmohej siguria e produkteve të industrisë vendore për konsumatorët.
Një tjetër kërkesë është anulimi i vendimit të datës 15 maj 2026, me numër 1414, të nxjerrë nga ministri në detyrë Armend Muja. Po ashtu, qumështoret kërkojnë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që të ndërmarrë masa konkrete për adresimin e çmimeve që Shoqata i konsideron dumping në tregun e produkteve të qumështit.
Kryetari i Shoqatës së Industrisë së Qumështit të Kosovës, Gani Durmishaj, ka deklaruar se kërkesat janë dorëzuar edhe zyrtarisht me shkrim.
Ai ka kërkuar që prodhuesve t’u mundësohet menjëherë rifillimi i punës dhe prodhimit të produkteve të qumështit.
“Po, kërkesat i kemi dhënë edhe me shkrim. Kërkojmë kthimin e menjëhershëm të punës për prodhuesit, për prodhimin e produkteve të cilat na i kanë ndërprerë”, ka deklaruar Durmishaj.
Ai ka kërkuar gjithashtu që AUV-i të dalë me një komunikatë zyrtare për qytetarët, duke konfirmuar nëse produktet e prodhuara nga industria vendore janë të sigurta për konsum.
Shoqata ka kërkuar edhe anulimin e vendimit të 15 majit 2026, si dhe ndërhyrjen e institucioneve për trajtimin e çmimeve të produkteve të qumështit në treg.
Durmishaj ka paralajmëruar se, nëse kërkesat nuk plotësohen dhe institucionet nuk ndërmarrin masa konkrete, nga 1 shtatori 2026 qumështoret do të ndërpresin grumbullimin e qumështit nga fermerët. “Në rast se kërkesat tona nuk plotësohen dhe nuk ndërmerren masa konkrete nga institucionet kompetente, nga 1.9.2026 do të ndërpritet grumbullimi i qumështit prej qumështoreve tona. Domethënë, nuk do të marrim qumësht nga asnjë pikë grumbulluese, as nga fermerët, deri në vendimin tjetër që e nxjerr ministri”, ka thënë ai.
Sipas Durmishajt, një situatë e tillë mund të shkaktojë pasoja të mëdha për sektorin e qumështit dhe mijëra fermerë që furnizojnë qumështoret vendore.
Ai ka paralajmëruar se moszgjidhja e situatës mund të çojë në një krizë të madhe për sektorin. “Unë mendoj që kjo do të bëhet një skandal bukur i madh, me keqardhje po them. Nuk është vendim i yni. Ne disa herë e kemi potencuar që mund të përpunojmë jo veç me qumështin e Kosovës, por edhe me importuar qumësht të freskët. Problemi është që vendimi të cilin e ka marrë Ministria na e ka ndërprerë prodhimin në qumështoret e Kosovës”, ka deklaruar Durmishaj.
Ai ka thënë se vendimi prek të gjitha qumështoret anëtare të Shoqatës së Industrisë së Qumështit të Kosovës dhe mund të ndikojë në rreth 20 mijë fermerë.
“Afër 20 mijë fermerë janë nëpër këto qumështore. Kjo nuk është për disa qumështore, por është vendim për të gjitha qumështoret të cilat janë anëtare të Shoqatës së Industrisë së Qumështit të Kosovës”, ka theksuar ai.
Durmishaj ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar çështja nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Ai ka kërkuar që AUV të publikojë rezultatet e analizave të kryera në produktet e qumështoreve vendore.
Sipas tij, rezultatet e analizave që u janë kthyer qumështoreve nuk kanë evidentuar ndonjë problem që do t’i bënte produktet të rrezikshme për konsum. “Ata kanë bërë një skandal të jashtëzakonshëm. Ne nuk po kërkojmë që ata veç me thënë. Në bazë të analizave të cilat i ka bërë AUV-i dhe na ka kthyer ne për qumështoret, nuk ka gjetur diçka që është e dëmshme, qysh kanë publikuar këtë për opinionin, për konsumatorin”, ka thënë Durmishaj.
Ai ka kërkuar nga AUV që të publikojë rezultatet dhe të dëshmojë gjetjet e analizave të kryera.
Durmishaj ka kundërshtuar gjithashtu ndërprerjen e prodhimit për shkak të shkeljeve eventuale të rregullave për deklarimin e përbërjes apo prejardhjes së produkteve.
Sipas tij, në raste të tilla duhet të ketë mundësi për korrigjim dhe afat ligjor për përmbushjen e kërkesave, në vend të ndërprerjes së menjëhershme të prodhimit.
“Për një gabim apo për një lëshim që nuk ka qenë vendimi më përpara që të shkruhet prejardhja bimore apo vaj palme, asnjë ligj kur bëhet nuk vjen vendim që me ua ndërprerë prodhimin. Mund të korrigjohen. Nëse ka bërë ndonjë lëshim ndonjë prej qumështoreve, mund të korrigjohet, mund t’i jepet afat ligjor. Por nuk mundet me ndërprerë marrjen”, ka deklaruar ai.
Durmishaj ka thënë se situata ka shkaktuar dëme për prodhuesit vendorë edhe në aspektin e shitjeve, pasi konsumatorët, sipas tij, janë hezitantë të blejnë produktet vendore pas raportimeve dhe deklarimeve lidhur me sigurinë e tyre. “Neve na ka bërë dëm të madh, se tash konsumatorët na ka ndalur shitja. Që prej muajit shkurt na ka ndalur shitja, po hezitojnë njerëzit me i marrë produktet vendore prej shkakut të opinioneve të cilat janë pothuajse skandal”, ka thënë Durmishaj.
Shoqata e Industrisë së Qumështit kërkon që institucionet të reagojnë sa më shpejt për të zgjidhur situatën, në të kundërtën paralajmëron ndërprerjen e grumbullimit të qumështit nga fermerët duke filluar nga 1 shtatori.



