Amerikanizmi i shqiptarëve të Kosovës në rritje: Mbështetja për Faton Bislimin, deri në 70 për qind në rrjetet sociale
Amerikanizmi i shqiptarëve të Kosovës duket se po hyn në një fazë të re. Në të njëjtën kohë me rritjen e mbështetjes publike për kandidaturën e Faton Bislimit për president konsensual të Kosovës, në rrjetet sociale po shfaqet një valë e fortë përkrahjeje, e cila në disa matje të thjeshta të reagimeve online arrin deri mbi 70 për qind.
Nuk bëhet fjalë për një sondazh profesional apo shkencor, por për një lexim të drejtpërdrejtë të reagimeve të qytetarëve në platformat sociale, ku në postime të ndryshme që lidhen me Faton Bislimin, përkrahja duket dukshëm më e lartë se kundërshtimi.
Një faktor që duket se ka ndikuar në këtë klimë është edhe përkrahja publike dhe e parezervë e William Walker, e cila ka sjellë një reagim të fortë emocional te një pjesë e shqiptarëve të Kosovës. Përkrahja amerikane, në këtë rast, duket se është perceptuar jo vetëm si mbështetje politike, por edhe si një sinjal që prek drejtpërdrejt ndjenjën patriotike të qytetarëve.
Në disa postime kjo ndjenjë shprehet në mënyrë të drejtpërdrejtë: “E ka thënë Amerika, s’ka çka presim.”
Ky reagim tregon se për një pjesë të opinionit publik në Kosovë, lidhja me Shtetet e Bashkuara vazhdon të ketë një peshë të jashtëzakonshme emocionale dhe politike, një lloj “America first” në versionin kosovar, ku fjala e Amerikës shihet si një garanci morale dhe politike ose siç do të thoshte Presdienti Rugova, “Testamenti politik”.
Rritja e mbështetjes së perceptuar në rrjetet sociale duket se e ka zënë të papërgatitur një pjesë të klasës politike, e cila ende vazhdon të diskutojë emra të ndryshëm, ndërkohë që vendimi përfundimtar i takon deputetëve të Kuvendit.
Por nëse kjo valë e përkrahjes shndërrohet në një disponim real elektoral, atëherë ajo mund të ketë edhe një “taksë politike” për secilin lider apo deputet që do të refuzonte ta mbështeste Bislimin për president.
Latifi: Një ringritje e vetëdijes qytetare
Sociologu Xhevat Latifi, e interpreton këtë fenomen si më shumë se një valë momentale politike.
Sipas tij, kjo përkrahje mund të lexohet si një ringritje e vetëdijes qytetare të Kosovës dhe si dëshmi se në shoqërinë kosovare ende ekziston një kërkesë për figura publike që perceptohen si të afta të përmbushin kritere të caktuara cilësore, profesionale dhe politike.
“Përkrahja amerikane dhe reagimi i qytetarëve ndaj saj janë një tregues se në Kosovë, ende ekziston një hapësirë e fortë emocionale dhe politike për figura që perceptohen si të lidhura me vlerat dhe orientimin euroatlantik”, shprehet Latifi.
Sipas tij, një përkrahje e tillë popullore mund të jetë edhe ogurbardhë për politikën kosovare, sepse tregon se emra të veçantë mund të sjellin prurje të reja politike dhe të ndryshojnë mënyrën se si qytetarët e shohin zgjedhjen e presidentit.
Pra rasti i Faton Bislimit mund të jetë duke kaluar nga një kandidaturë politike në një fenomen të debatit publik, ku përtej emrit të kandidatit po diskutohet edhe një pyetje më e madhe. Sa peshë vazhdon të ketë Amerika në ndërgjegjen politike të shqiptarëve të Kosovës dhe se kjo përkrahje popullore sikur po sjellë emra të përveçëm që mund t’i sjellin pranvera politike, varësisht nga epilogu në parlament!
xlpress



