Anton Quni mirëpret marrëveshjen LDK-LVV për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, ka mirëpritur marrëveshjen e arritur mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) që Prof. Dr. Bekim Sejdiu të propozohet për President të Republikës së Kosovës.
Quni ka thënë se kjo marrëveshje përfaqëson një hap drejt stabilitetit institucional të vendit dhe dëshmon, sipas tij, pjekuri politike dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve.
“Me kënaqësi dhe shpresë të madhe për stabilitetin institucional të vendit, e mirëpres marrëveshjen e arritur mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje që Prof. Dr. Bekim Sejdiu të propozohet për President të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Quni.
Ai ka vlerësuar se bashkëpunimi mes dy subjekteve politike vendos interesin shtetëror mbi dallimet partiake.
Quni ka folur edhe për prejardhjen familjare të Sejdiut, duke e cilësuar atë si pjesëtar të një familjeje me kontribut në rezistencën paqësore e politike të udhëhequr nga Presidenti Historik Ibrahim Rugova, si dhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Duke përmendur bashkëluftëtarin e tij, Heroin e Kosovës, Arben Sejdiu, Quni ka thënë se ka pasur mundësinë të njohë nga afër frymën atdhetare dhe përkushtimin e familjes Sejdiu.
Sipas deputetit të LDK-së, përvoja diplomatike, profesionale dhe juridike e Bekim Sejdiut, përfshirë angazhimin e tij si ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe diplomat, e bëjnë atë një figurë që mund të përfaqësojë unitetin e qytetarëve dhe të garantojë respektimin e Kushtetutës dhe sundimin e ligjit.
Quni ka theksuar gjithashtu se përvoja e Sejdiut në të drejtën ndërkombëtare dhe diplomaci përbën, sipas tij, një vlerë për përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në fund, ai i ka uruar Sejdiut sukses në procesin për zgjedhjen e presidentit, duke shprehur besimin se ai do ta udhëheqë vendin me urtësi, paanshmëri dhe përkushtim ndaj Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“Na priftë e mbara!”, ka përfunduar Quni.



