Mirsim Beqiri autorizohet për menaxhimin dhe koordinimin e KHAIA-së

31 gusht 2026 | 16:08

Mirsim Beqiri ka njoftuar se, pas përfundimit të dy mandateve si kryetar i Komisionit për Hetimin e Aksidenteve Aeronautike dhe Hekurudhore (KHAIA), ka pranuar autorizimin për menaxhimin, mbarëvajtjen dhe koordinimin e këtij institucioni.

Beqiri ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin e tij profesional në KHAIA në pozitën e Hetuesit të Aksidenteve Aeronautike me status të veçantë.

Ai ka falënderuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe shefen e stafit, Flora Macula, për besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme.

“Falënderoj Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, dhe Shefen e Stafit, znj. Flora Macula, për besimin e dhënë dhe përkrahjen e vazhdueshme në funksion të vazhdimësisë institucionale dhe shërbimit ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Beqiri në ‘Facebook’.

Sipas tij, KHAIA do të vazhdojë të përmbushë misionin e saj specifik dhe të ofrojë shërbim 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, me synim rritjen e sigurisë në aviacionin civil dhe hekurudha.

“KHAIA do të vazhdojë të jetë e përkushtuar në përmbushjen e misionit të saj specifik dhe në ofrimin e shërbimit 24/7, me qëllim të rritjes së sigurisë së aviacionit civil dhe hekurudhave, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe obligimet ndërkombëtare”, ka deklaruar ai.

Beqiri e ka përmbyllur postimin me mesazhin: “Vazhdojmë! KHAIA 24/7.”

Mirsim Beqiri është inxhinier i diplomuar dhe një nga ekspertët me përvojë në fushën e aviacionit në Kosovë. Ai ka mbi dy dekada përvojë profesionale në sigurinë e aviacionit dhe hetimin e aksidenteve dhe incidenteve aeronautike.

Beqiri ka përfunduar studimet Master (MSc) në “Safety and Accident Investigation” në Cranfield University në Mbretërinë e Bashkuar, një nga universitetet më prestigjioze në botë për sigurinë e aviacionit dhe hetimin e aksidenteve, duke ndërtuar një profil profesional të rrallë në Kosovë dhe të njohur ndërkombëtarisht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë…