IKShPK: Mbi 95 për qind e rasteve me fruth janë te personat e pavaksinuar
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë thirrje për vaksinim kundër fruthit, duke e cilësuar atë si masën më të rëndësishme dhe të sigurt për mbrojtjen e fëmijëve dhe komunitetit.
Sipas të dhënave të IKShPK-së, nga 16 prilli deri më 30 gusht 2026 janë konfirmuar gjithsej 151 raste me fruth. Vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar katër raste të reja.
IKShPK-ja bën të ditur se mbi 95 për qind e rasteve të konfirmuara me fruth janë te persona të pavaksinuar me vaksinën MMR, duke theksuar rëndësinë e vaksinimit në parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nga kjo sëmundje.
Instituti ka njoftuar se, përveç vaksinimit të rregullt sipas kalendarit të vaksinimit, është intensifikuar edhe vaksinimi i vonuar, i njohur si “catch-up”. Ky proces u mundëson vaksinimin fëmijëve që, për arsye të ndryshme, e kanë shtyrë vaksinimin.
Gjatë këtij viti, rreth 2,500 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç janë vaksinuar përmes vaksinimit “catch-up”.
IKShPK-ja ka vlerësuar pozitivisht angazhimin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë, institucioneve dhe qytetarëve për rritjen e shkallës së vaksinimit dhe mbrojtjen e fëmijëve nga fruthi.
“Çdo fëmijë i vaksinuar është një fëmijë më shumë i mbrojtur dhe një hap më afër ndërprerjes së përhapjes së sëmundjes”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.



