Protesta në Tiranë, Hita: Janë lënduar 71 punonjës të Policisë së Shtetit, disa prej tyre me dëmtime të rënda
Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita u shpreh se policia nuk ka pasur qasje të ndryshme gjatë këtyre tri ditëve të protestës.
Ai tha se reagimi i policisë ka qenë proporcional me sjelljen e protestuesve.
“Nuk ka pasur qasje të ndryshme nga policia. Jemi të vendosur të përballojmë çdo akt dhune ndaj çdo institucioni shtetëror dhe privat, si dhe të mbrojmë jetën e qytetarëve. Reagimi ka qenë proporcional. Ju nuk e keni parë lumin e gurëve që kanë rënë mbi policët”, tha ai.
I pyetur nëse ka pasur gabime nga ana e policisë si dhe për përdorimin në masë të gazit lotsjellës, Hita tha: Të gjithë kanë qenë në lartësinë e detyrës, duke e kryer atë me përpikëri. Gazi ka qenë i nevojshëm, sepse lumi i gurëve ka qenë aq i madh, saqë nuk kishte ndërhyrje tjetër veç gazit”, tha ai.
Ai tha se në këto ngjarje deri në këto momente gjatë përmbushjes së detyrës për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike janë lënduar 71 punonjës të Policisë së Shtetit, disa prej tyre me dëmtime të rënda.
Deklarata e plotë:
Prej gati 72 orësh, kryeqyteti po përballet me një valë dhune, sulmesh, zjarrvëniesh dhe shkatërrimesh ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike dhe private, duke vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Në këto ngjarje deri në këto momente gjatë përmbushjes së detyrës për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike janë plagosur 71 punonjës të Policisë së Shtetit, disa prej tyre me dëmtime të rënda.
Dua të jem shumë i qartë: Policia e Shtetit garanton të drejtën kushtetuese të çdo qytetari, studenti apo force politike për të protestuar paqësisht. Por protesta nuk mund të jetë mburojë për dhunën, zjarrvënien, grabitjen dhe shkatërrimin e pronës publike e private.
Policia e Shtetit nuk është pronë e asnjë partie politike. Ajo është institucion i Republikës, në shërbim të ligjit dhe qytetarëve. Misioni ynë është të mbrojmë jetën, pronën, institucionet dhe rendin publik, pa dallim.
U bëj thirrje prindërve, mësuesve dhe pedagogëve të mos lejojnë që nxënësit e gjimnazeve dhe studentët të përdoren apo të përfshihen në akte dhune të organizuar.
Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të kërkojnë dhe të kundërshtojnë, por askush nuk duhet t’i përdorë si mburojë për të sulmuar institucionet, për të djegur dhe shkatërruar pronën e qytetarëve.
Siguria dhe e ardhmja e tyre janë përgjegjësi e përbashkët e familjes, shkollës dhe e shtetit.
Pas maskave qe udhëheqin protestën me shembullin e dhunës, nuk janë studente, por janë individë te rekrutuar për qëllimet e errëta të organizatoreve te vërtetë te kësaj proteste, brenda e jashtë vendit.
Fakti është se nga te gjithë te ndaluarit natën e parë të protestës së dhunshme asnjë nga personat nuk rezultoi student. Ndërsa nga të ndaluarit e natës së dytë pas djegies e plaçkitjes masive, një numër shumë i vogël ishin studentë.
Të dashur punonjës të Punonjës të Policisë së Shtetit, sot dua t’u jap një garanci të qartë:
Në këtë përballje me dhunën, keni mbështetjen time të plotë si Drejtor i Përgjithshëm dhe mbështetjen institucionale të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Qeverisë Shqiptare për çdo veprim të ligjshëm në përmbushje të detyrës.
Çdo sulm ndaj uniformës blu është sulm ndaj autoritetit të ligjit dhe shtetit. Kushdo që ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë, ka dëmtuar institucionet, pronën publike dhe private, do të identifikohet dhe do të përballet me ligjin.
Çdo orë shtesë shërbimi do t’ju njihet dhe do kompensohet sipas ligjit. Sakrifica juaj meriton respektin dhe mbështetjen e plotë të institucioneve.
Ju kërkoj profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe vendosmëri. Mos u provokoni, por mos u tërhiqni nga përmbushja e detyrës! Forca jonë është ligji dhe autoriteti ynë buron prej tij.
Ndërkohë u bëj thirrje pjesëmarrësve në tubime të distancohen menjëherë nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të mos bëhen pjesë e akteve të dhunës e të shkatërrimit. Përgjegjësia është individuale dhe do përballeni me forcën e ligjit.
Ndaloni dhunën ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve, pronës publike dhe private! Çdo akt dhune rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve dhe të miturve. E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin.
Dhe për këdo që mendon se mund të imponojnë vullnetin e tij përmes dhunës, mesazhi është i prerë:
Mos e ngatërroni vetëpërmbajtjen e Policisë së Shtetit me dobësinë!
Policia nuk tërhiqet përballë dhunës. Institucionet do të mbrohen. Qytetarët do të mbrohen. Ligji do të zbatohet me vendosmëri dhe pa asnjë përjashtim.



