MASh organizoi tryezën e dytë me partnerët zhvillimorë për hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+

15 tetor 2026 | 17:00

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) organizoi tryezën e dytë të diskutimit me partnerët zhvillimorë në kuadër të procesit të hartimit të Strategjisë së Arsimit të Kosovës 2035+. Takimi kishte për qëllim prezantimin e progresit të deritanishëm në procesin e konsultimeve, diskutimin e orientimeve strategjike dhe mundësive për bashkëpunim në fazat e ardhshme.

Në fjalën e tij hyrëse, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, theksoi rëndësinë e një qasjeje gjithëpërfshirëse, të bazuar në diskutim dhe dialog të vazhdueshëm me të gjitha palët e interesit.

Në kuadër të synimeve strategjike të Strategjisë së re dhe të mandatit qeversisë, ministri Çeku nënvizoi krjimin e një rrjeti kombëtar të edukimit në fëmijërinë e hershme, ku çdo familje të ketë qasje në një çerdhe, private apo publike, në një distancë të përshtatshme dhe me kosto të përballueshme, zhvillimin e shkollave me mësim gjithëditor, fuqizimin e arsimit dhe aftësimit profesional në shërbim të ndërmarrjeve publike dhe sektorit privat, si dhe zhvillimin e një sistemi të arsimit të lartë të profilizuar, që mbështet zhvillimin industrial e ekonomik të Kosovës, krahas fuqizimit të shkencës, kërkimit dhe inovacionit. Me këtë rast, ministri vlerësoi kontributin e partnerëve zhvillimorë në avancimin e reformave arsimore dhe u shpreh se bashkëpunimi me ta është i nevojshëm si gjatë hartimit të Strategjisë, ashtu edhe në fazën e zbatimit të saj.

Eksperti i jashtëm në MASh për planifikimin strategjik, Jeton Mehmeti, shpjegoi se hartimi i Strategjisë do të zhvillohet në tri faza: identifikimi dhe analiza e problemeve, përcaktimi i objektivave strategjike dhe specifike, si dhe hartimi i veprimeve, treguesve dhe caqeve të matshme. Ai theksoi se konsultimet me palët e interesit dhe partnerët zhvillimorë do të vazhdojnë përgjatë gjithë procesit, për të siguruar një Strategji të bazuar në dëshmi dhe me prioritete të qarta e të realizueshme.

Në takim morën pjesë përfaqësues të partnerëve zhvillimorë, përfshirë Bashkimin Evropian, Bankën Botërore, Agjencinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA), Agjencinë e Luksemburgut për Zhvillim (LuxDev), OSBE-në, Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Fondin e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF), Millennium Challenge Account (MCA), British Council, Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim (AiCS) si dhe projektet KosEd, SHER dhe Swisscontact.

Tryeza e dytë shënon vazhdimin e dialogut të strukturuar partnerë zhvillimorë, në funksion të hartimit të një Strategjie afatgjatë për sistem arsimor cilësor, gjithëpërfshirë dhe të përgatitur për nevojat e së ardhmes.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka marrë pjesë…