Avdullah Hoti sqaron pse nuk e përkrah Bekim Sejdiun për president
Lëvizja Vetëvendosje (LV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) janë pajtuar që Bekim Sejdiu të jetë kandidat për president të Kosovës.
Marrëveshja u njoftua sot nga kreu i LDK-së, Lumir Abidxhiku, pas takimit me kreun e LV-së, Albin Kurti.
Ish-kryeministri, njëherësh deputet i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar në “Facebook” se nuk e përkrah këtë kandidaturë për president të Republikës së Kosovës, jo për arsye personale, por për një parim politik dhe institucional.
Sipas tij, presidenti i Republikës duhet të jetë figurë unifikuese, e cila ndërton konsensus përtej interesave partiake dhe përfaqëson interesin e përgjithshëm të qytetarëve. “Në vlerësimin tim, kjo kandidaturë nuk e përmbush këtë kriter”, ka shkruar ai.
Hoti ka thënë se njëkohësisht, kjo kandidaturë nuk pasqyron interesat politike dhe parimore të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe elektoratit të saj.
“Përkundrazi, mënyra se si është imponuar kjo zgjidhje krijon përshtypjen se LDK ka penguar edhe kandidatura të tjera politike, vetëm për t’i hapur rrugë një kandidature që, në thelb, është po ashtu politike. LDK duhet të ketë një qëndrim të qartë, të pavarur dhe të përgjegjshëm. Nuk mund të mbështesim një kandidaturë vetëm për hir të një marrëveshjeje politike, nëse ajo nuk përfaqëson parimet, interesat dhe pritjet e elektoratit të LDK-së. Kjo nuk është çështje individësh. Është çështje e parimeve, identitetit politik dhe përgjegjësisë që kemi ndaj votuesve tanë. Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!”, ka shkruar Hoti.
Bekim Sejdiu kishte qenë gjyqtar raportues në rastin kur Gjykata Kushtetuese e rrëzoi Qeverinë e udhëhequr prej Hotit në vitin 2020.



