Dënohen me burgim dy të akuzuarit për barrikadat e vitit 2022 në Zveçan
Pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë Speciale, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Millosh Radosavljeviq dhe Dushan Dobraq, të akuzuar lidhur me barrikadat e vitit 2022 në Komunën e Zveçanit.
Radosavljeviq është dënuar me 9 muaj burgim, ndërsa Dobraq me 12 muaj burgim.
Aktgjykimi është shpallur të hënën nga gjykatësi i rastit, Rrahman Beqiri.
Për veprën penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues”, Radosavljeviq është shpallur fajtor dhe është dënuar me 9 muaj burgim.
Ndërkaq, Dobraq është shpallur fajtor për veprat penale “Bashkimi në veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.
Për veprën e parë, Dobraq është dënuar me 6 muaj burgim, ndërsa për veprën e dytë me 6 muaj burgim. Gjykata i ka shqiptuar atij dënim unik prej 12 muajsh burgim.
Dënimet ndaj dy të akuzuarve do të ekzekutohen 30 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Sa i përket kërkesës pasurore-juridike, gjykatësi ka bërë të ditur se nuk ka një të tillë.
Gjykata ka urdhëruar të akuzuarit që të paguajnë edhe shpenzimet e procedurës penale, sipas llogaritjes përfundimtare të gjykatës. Secili prej tyre duhet të paguajë nga 200 euro për paushallin gjyqësor dhe nga 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.



