Hoti kundër kandidaturës së Sejdiut për president: Nuk pasqyron interesat politike dhe parimore të LDK-së
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kundërshtuar kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Republikës së Kosovës, duke thënë se qëndrimi i tij nuk lidhet me arsye personale, por me parime politike dhe institucionale.
Hoti ka deklaruar se presidenti i vendit duhet të jetë një figurë unifikuese, e aftë të ndërtojë konsensus përtej interesave partiake dhe të përfaqësojë interesin e përgjithshëm të qytetarëve.
“Nuk e përkrah këtë kandidaturë për President të Republikës së Kosovës, jo për arsye personale, por për një parim politik dhe institucional”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Sipas tij, kandidatura e Sejdiut nuk i përmbush kriteret që duhet t’i ketë presidenti i vendit dhe, njëkohësisht, nuk pasqyron interesat politike dhe parimore të LDK-së dhe elektoratit të saj.
Postimi i plotë:
Nuk e përkrah këtë kandidaturë për president të Republikës së Kosovës, jo për arsye personale, por për një parim politik dhe institucional.
Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë unifikuese, e cila ndërton konsensus përtej interesave partiake dhe përfaqëson interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Në vlerësimin tim, kjo kandidaturë nuk e përmbush këtë kriter.
Njëkohësisht, kjo kandidaturë nuk pasqyron interesat politike dhe parimore të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe elektoratit të saj. Përkundrazi, mënyra se si është imponuar kjo zgjidhje krijon përshtypjen se LDK ka penguar edhe kandidatura të tjera politike, vetëm për t’i hapur rrugë një kandidature që, në thelb, është po ashtu politike.
LDK duhet të ketë një qëndrim të qartë, të pavarur dhe të përgjegjshëm. Nuk mund të mbështesim një kandidaturë vetëm për hir të një marrëveshjeje politike, nëse ajo nuk përfaqëson parimet, interesat dhe pritjet e elektoratit të LDK-së.
Kjo nuk është çështje individësh. Është çështje e parimeve, identitetit politik dhe përgjegjësisë që kemi ndaj votuesve tanë.
Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!



