Protesta e komunave, Gjini fton qytetarët për pjesëmarrje: Nesër ngremë zërin!
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka ftuar të gjithë qytetarët që nesër, nga ora 11:00, t’i bashkëngjiten protestës së komunave të Kosovës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Përmes një postimi në “Facebook”, Gjini ka kritikuar qasjen e nivelit qendror ndaj komunave, duke e akuzuar atë për ndërhyrje dhe pengim të ushtrimit të kompetencave lokale.
Gjini ka theksuar se komunat e Kosovës janë “adresa e parë e qytetarëve” dhe segmenti kryesor i përfaqësimit të tyre institucional, ndërsa ka nënvizuar se kompetencat e tyre janë të përcaktuara qartë me ligj.
Sipas tij, këto kompetenca dhe të drejta po atakohen gjithnjë e më shumë nga niveli qendror, i cili, në vend që t’i përkrahë komunat, po i pengon ato në ushtrimin e përgjegjësive të tyre.
“Situata është e qartë: buxhetet po shkurtohen, mbi 3.100 mësimdhënës janë lënë jashtë planifikimeve financiare, dëmet nga fatkeqësitë natyrore nuk po kompensohen, inspektoratet po centralizohen, punësimi në shërbimin civil po merret nga niveli lokal, ndërsa pronat komunale dhe fusha të tjera po rrezikohen nga kufizime të reja”, ka shkruar Gjini.
Ai ka paralajmëruar se komunat do ta ngrenë zërin për të kërkuar respektimin e kompetencave dhe të drejtave të tyre ligjore.
“Kur komuna humb fuqinë, humbasin edhe shërbimet që ju i merrni çdo ditë. Kur i hiqen kompetencat, dobësohet demokracia lokale. Kur i merren buxhetet, ndalen investimet dhe dëmtohen shërbimet publike”, ka shkruar Gjini.



