Sulmet ruse shkatërrojnë miliona libra në Ukrainë, goditet edhe shtypshkronja para vitit të ri shkollor

31 gusht 2026 | 13:13

Sulmet ruse në Ukrainë kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në sektorin e botimeve dhe trashëgimisë kulturore, ndërsa një prej shtypshkronjave në periferi të Kievit është shkatërruar në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.

Shtypshkronja u godit gjatë natës nga një raketë ruse, në një kohë kur po punonte me kapacitet të lartë për prodhimin e rreth 1.3 milion librave shkollorë. Ky numër përbën afërsisht 10 për qind të teksteve shkollore që nevojiten në Ukrainë.

Nga objekti i shkatërruar kanë mbetur kryesisht rrënoja, ndërsa shumë prej librave janë dëmtuar nga zjarri dhe uji i përdorur për shuarjen e tij. Një nga faqet e djegura që ka mbetur në rrënoja është pjesë e një libri shkollor në gjuhën angleze.

Sipas raportimeve, sulmet e fundit ruse kanë goditur shtypshkronja, depo dhe shtëpi botuese në pjesë të ndryshme të Ukrainës, duke shkaktuar dëme të mëdha në industrinë e librit. Më shumë se 35 objekte të lidhura me sektorin botues janë prekur në javët e fundit, ndërsa rreth 12 milionë libra raportohet se janë shkatërruar.

Dëme kanë pësuar edhe tregjet e librave të përdorur. Në Kiev, një treg i librave të dorës së dytë u godit gjithashtu, duke shkatërruar qindra tezga dhe një numër të madh librash të vjetër e me vlerë.

Goditje ndaj trashëgimisë kulturore

Përveç industrisë së botimeve, sulmet kanë prekur edhe muze, biblioteka, galeri arti, teatro dhe objekte të tjera të rëndësishme kulturore.

Në kompleksin historik Kiev-Pechersk Lavra, një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë ukrainase, janë dëmtuar pjesë të Katedrales së Ngjitjes së Shën Mërisë. Një pjesë e çatisë u përfshi nga flakët pas një sulmi me dron, ndërsa reliket fetare ishin zhvendosur në kohë në një vend më të sigurt.

Kostoja e restaurimit të dëmeve në këtë objekt vlerësohet në rreth 11.2 milionë dollarë dhe punimet mund të zgjasin rreth dy vjet.

Kompleksi është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe që nga viti 2023 ndodhet edhe në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s, Khaled El Enani, ka dënuar dëmtimin e monumenteve kulturore dhe ka theksuar nevojën për mbrojtjen e tyre gjatë luftës.

Ukraina: Rusia synon identitetin kombëtar

Autoritetet ukrainase argumentojnë se dëmtimi i institucioneve kulturore nuk mund të ndahet nga pasojat e luftës në fushën ushtarake.

Sipas tyre, sulmet ndaj librave, monumenteve, muzeve dhe institucioneve kulturore përbëjnë kërcënim edhe për identitetin kombëtar të Ukrainës. Ministrja ukrainase e Kulturës, Tetyana Berezna, e ka cilësuar luftën si ekzistenciale dhe ka thënë se mbrojtja e kulturës është pjesë e mbrojtjes së identitetit të vendit.

Sipas të dhënave të cituara nga autoritetet ukrainase, Rusia ka sulmuar më shumë se 1,900 elemente të trashëgimisë kulturore dhe mbi 2,000 institucione kulturore.

Përballë këtyre dëmeve, Ukraina po përshpejton edhe procesin e digjitalizimit të librave, dokumenteve dhe veprave të artit, me synimin që materialet të ruhen dhe të jenë të qasshme edhe në rast të shkatërrimit të kopjeve fizike.

Ndërkohë, industria botuese ukrainase po kërkon mbështetje ndërkombëtare për të vazhduar funksionimin dhe për të siguruar tekstet shkollore për nxënësit, pavarësisht dëmeve të shkaktuara nga lufta.

Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur se synon qëllimisht civilët dhe objektet civile. Moska ka pretenduar gjithashtu se disa objekte kulturore në Ukrainë janë përdorur për qëllime ushtarake, ndërsa ka kritikuar politikat e Kievit lidhur me monumentet dhe simbolet e trashëgimisë ruse.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleancës Kosovare e Bizneseve (AKB) ka realizuar studimin e parë…