Haxhiu dekoron Komitetin Norvegjez të Helsinkit me Medaljen Presidenciale të Meritave
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekoruar sot Komitetin Norvegjez të Helsinkit me Medaljen Presidenciale të Meritave, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në dokumentimin dhe ndërkombëtarizimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kosovë.
Me këtë rast, Haxhiu ka pritur në takim sekretaren e përgjithshme të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, Berit Nising Lindeman, dhe zëvendëssekretarin e përgjithshëm, Gunnar M. Ekelove-Slydal.
Sipas Haxhiut, në periudhën kur shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut në Kosovë nuk kishin marrë vëmendjen e mjaftueshme ndërkombëtare, Komiteti Norvegjez i Helsinkit ka qenë ndër organizatat e para perëndimore që i ka dokumentuar këto shkelje dhe i ka bërë të njohura në arenën ndërkombëtare.
Ajo ka vlerësuar se përmes këtij angazhimi, Komiteti ka kontribuar që çështja e Kosovës të vendosej në agjendën ndërkombëtare.
“Kosova nuk i harron miqtë që i qëndruan pranë në periudha të vështira”, ka deklaruar Haxhiu, duke theksuar se dekorata është shprehje e mirënjohjes për angazhimin e gjatë dhe parimor të Komitetit në rrugën e Kosovës drejt lirisë.
Haxhiu ka vlerësuar veçanërisht rolin e organizatës në dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe në ngritjen e vetëdijes ndërkombëtare për situatën në Kosovë.




