ShBA-ja miraton shitjen e mundshme të pajisjeve ushtarake prej 800 milionë dollarësh për Irakun

01 shtator 2026 | 16:32

Shtetet e Bashkuara kanë miratuar një shitje të mundshme ushtarake prej 800 milionë dollarësh për Irakun, e cila përfshin helikopterë “Bell 412EPX” dhe “Bell 407M”, si dhe pajisje të lidhura me ta, ka njoftuar të hënën Departamenti Amerikan i Shtetit.

Paketa e propozuar përfshin helikopterë, mitralozë me tre tyta “GAU-19”, sisteme raketore, sensorë elektro-optikë/infrakuq, sisteme për zbulimin e lëshimit të raketave, radio, pjesë këmbimi dhe pajisje për mbështetje tokësore.

Ajo përfshin gjithashtu trajnime për pilotët dhe mirëmbajtjen, si dhe mbështetje inxhinierike, teknike dhe logjistike nga qeveria amerikane dhe kontraktorët, sipas një deklarate të Departamentit të Shtetit.

Departamenti ka deklaruar se shitja e propozuar do të mbështeste politikën e jashtme dhe interesat e sigurisë kombëtare të ShBA-së, duke forcuar kapacitetet e sigurisë së një partneri strategjik.

Sipas Departamentit, paketa synon të rrisë aftësinë e Irakut për t’iu përgjigjur kërcënimeve aktuale dhe të ardhshme, veçanërisht përmes përmirësimit të kapaciteteve të transportit me helikopterë, zbulimit dhe goditjes së objektivave nga ajri në tokë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Danimarka ka rihapur të hënën ambasadën e saj në Damask,…