Gjykata Kushtetuese, sërish adresa e mundshme e partive opozitare
Në dyert e Gjykatës Kushtetuese pritet të trokasin sërish partitë opozitare, kësaj here për të kontestuar konstituimin e institucioneve, kurdo që ai të bëhet.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca, adresimin në Kushtetuese e kanë përfshirë në mesin e masave që thonë se do të ndërmarrin, por që veprimet e tyre varen nga zhvillimet në ditët në vijim lidhur me formimin e institucioneve.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se janë duke i shqyrtuar të gjitha veprimet që bien ndesh me Kushtetutën dhe se janë duke parë modalitetet që do t’i ndjekin.
Se kur do t’i drejtohen gjykatës më të lartë në vend, ajo tha se do të njoftojnë “me kohë”.
“Ajo që tash është evidente është që janë tejkaluar të gjitha afatet dhe nuk është respektuar aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që kërkon konstituim të kuvendit në afat 30-ditor. Në kohën kur jemi jashtë rendit kushtetues, është njëra prej fazave më të vështira të shtetndërtimit të Republikës së Kosovës’’, thotë ajo.
Sipas Deliu-Kodrës, aktualisht, e rëndësishme është konstituimi i legjislaturës së njëmbëdhjetë dhe, me të nisë rrjedhja e afateve të tjera kushtetuese – formimi i Qeverisë dhe zgjedhja e presidentit – do t’i shqyrtojnë edhe veprimet e tjera që do t’i ndërmarrin për shkeljet eventuale kushtetuese.
E deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, tha për REL-in se vendimin për t’iu drejtuar Kushtetueses do ta marrin në bazë të zhvillimeve.
“Nuk e mohojmë atë mundësi, por po presim çfarë do të ndodhë këto ditë’’, tha ajo.
E ngjashme ishte edhe përgjigja e deputetes tjetër të Aleancës, Albana Bytyqi. “Për momentin nuk kem diçka’’.
Në bazë të një aktgjykimi të më parshëm të Gjykatës Kushtetuese, konstituimi i Kuvendit duhet të përmbyllet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve.
Kjo nënkupton se, sipas këtij aktgjykimi, konstituimi i Kuvendit është dashur të përmbyllej më 7 gusht. Por, partia fituese e zgjedhjeve të 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje, mban qëndrimin se ky afat fillon të rrjedhë nga hapja e seancës konstituive, pra më 6 gusht.
Krahas kësaj, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka ftuar vazhdimin e seancës më 9 shtator.
Nëse do të shqyrtojnë mundësinë që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese REL-i ka pyetur edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) e Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.
A mundet Kushtetuesja t’iu japë përgjigje pikëpyetjeve për formimin e institucioneve?
Adresimin e partive politike në Kushtetuese, njohës të proceseve juridike e politike e shohin si alternativë për sqarimin e situatës së krijuar dhe përcaktimin e pasojave për shkeljet eventuale të afateve kushtetuese.
Ish-gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Valdete Daka, tha se, në mënyrë që gjykata të vihet në lëvizje për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve, palët duhet t’ia kërkojnë një gjë të tillë.
Ndonëse thotë se është tejkaluar afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit, Daka vlerëson se Gjykata Kushtetuese mund të mos merret me trajtimin e kësaj çështje, me arsyetimin se për këtë çështje kanë vendosur një herë.
“Do të kishte qenë mirë të qartësoheshin këto dilema dhe këto situata të çuditshme në të cilat po gjendemi dhe Gjykata Kushtetuese edhe njëherë të na e shpjegojë se afati ka qenë 30 ditë nga certifikimi i rezultateve”.
Vullnet Bugaqku, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë se Kushtetuesja duhet të pyetet nëse është i ligjshëm konstituimit i Kuvendit të Kosovës, jashtë afatit 30-ditor të përcaktuar nga vet gjykata, e të definohen pasojat nëse ky afat shkelet.
Vlerësimi eventual i Kushtetueses, sipas tij, do të garantonte legjitimitetin e procese të ardhshme, siç është zgjedhja e Qeverisë dhe e presidentit.
“Për ta siguruar qartësinë e duhur, duhet që së pari të kontrollohet, të verifikohet dhe të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese legjitimiteti i mandateve të këtyre deputetëve, të cilët, nëse eventualisht mblidhen këtë javë apo javën e ardhshme dhe, konstituojnë Parlamentin e Kosovës”, thekson ai.
Përveç për konstituimin e Kuvendit, Daka e Bugaqku vlerësojnë se deputetët duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese edhe për çështjet e tjera: formimin e qeverisë së re, përfundimit e periudhës gjashtë mujore për ushtrimin e detyrës së presidentit e zgjedhjen e presidentit të ri.
“Unë sinqerisht nuk e di se kush do të hyjë në atë zyrë (Zyrën e Presidencës) pas 4 tetorit dhe me çfarë baze. Kështu që, do të kishte qenë mirë që kjo çështje të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese dhe ata ta japin një vlerësim të tyre”, thotë ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Hulumtuesi i KDI-së e konsideron më problematike situatën në të cilën edhe vetë deputetët të mos kenë më legjitimitet për t’iu drejtuar Kushtetueses, nëse shpërndahet Kuvendi si rezultat i dështimit të zgjedhjes së presidentit.
“Kështu, rrjedhimisht, hyjmë në një situatë tejet të paqartë kushtetuese dhe normalisht edhe mund të shkelet edhe data 5 tetor dhe kështu ai funksion të mbahet nga kryetari i kuvendit edhe më gjatë se data 5 tetor’’, nënvizon Bugaqku.
Megjithëkëtë, Bugaqku vlerëson se adresimi në Gjykatën Kushtetuese për zhbllokimin e situatave, si rrjedhojë e bllokadave politike, rrezikon të ardhmen parlamentare dhe kushtetuese të Kosovës.
“Nganjëherë duhet të dallohen çështjet kushtetuese juridike dhe kushtetuese nga çështjet e sjelljeve politike që i bëjnë në Parlamentin e Republikës së Kosovës’’, shton ai.
Lëvizja Vetëvendosje – partia që doli e para në zgjedhjet e 7 qershorit – ndërlidhi formimin e institucioneve me marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit.
Megjithëse një marrëveshje e tillë është arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, mospërkrahja e saj nga gjashtë deputetë të LDK-së vuri në dyshim rezultatin e saj: votimin e suksesshëm të Bekim Sejdiut, kandidatit të propozuar.
Dështimi i zgjedhjes së presidentit, sipas Kushtetutës, për pasojë ka shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.



