Bayerni dështon të shënojë pas 59 ndeshjesh

06 shtator 2026 | 15:15

Bayern Munich ka regjistruar një nga befasitë më të mëdha të fillimit të sezonit në Bundesliga, duke u ndalur në një barazim pa gola, 0-0, në transfertën ndaj skuadrës së sapopromovuar, Schalke.

Kampionët e Gjermanisë nuk arritën të gjejnë rrugën drejt rrjetës për herë të parë pas plot 59 ndeshjesh radhazi në të gjitha garat.

Bayern dominoi në posedim, por e pati jashtëzakonisht të vështirë të çante mbrojtjen e organizuar të vendasve. Rasti më i mirë për mysafirët ishte në këmbët e Luis Diazit, i cili shpërdoroi dy mundësi të arta në përballje direkte me portierin Loris Karius.

Fillimisht, Diaz dështoi të godiste saktë me portën thuajse të boshatisur përballë tij, ndërsa në pjesën e dytë tentoi të parabolonte Kariusin, por topi u largua para se të kalonte vijën fatale.

Trajneri Vincent Kompany kishte vendosur të bënte rotacion pas startit mbresëlënës të sezonit, me Bayernin që kishte triumfuar 5-1 ndaj Stuttgartit dhe 4-1 ndaj Osnabrückut në Kupën e Gjermanisë.

Harry Kane dhe Michael Olise e nisën ndeshjen nga banka, ndërsa kapiteni i Anglisë u inkuadrua menjëherë në pjesën e dytë. Megjithatë, Bayerni nisi të krijonte presion serioz vetëm pas hyrjes në lojë të Olises dhe Jamal Musialës.

Musiala, ndërkohë, u rikthye në skuadër për herë të parë këtë sezon, pas problemeve shëndetësore të përjetuara gjatë fazës përgatitore.

Në fund, Konrad Laimer goditi rrjetën anësore nga afërsia, ndërsa Kane ishte shumë pranë golit të fitores. Sulmuesi anglez lëshoi një goditje të fuqishme drejt këndit të sipërm, por Karius reagoi me një pritje fantastike me majat e gishtave.

Schalke rezistoi deri në fund dhe, falë një paraqitjeje të disiplinuar në mbrojtje, mori pikën e parë të sezonit.

Për Kane, kjo ishte paraqitja e 96-të në Bundesliga. Anglezi ka nevojë për vetëm dy gola për të arritur kuotën e 100 golave në kampionat. Ai e nisi ditën me gola ndaj të gjitha 20 skuadrave me të cilat ishte përballur më parë në Bundesliga, por tashmë ka shënuar ndaj vetëm 20 prej 21 kundërshtarëve.

Barazimi solli edhe një tjetër statistikë interesante: pas 67 javësh kampionati, për herë të parë Bayerni nuk do ta mbyllë një xhiro në krye të tabelës.

Bavarezët tani do të kthehen te Champions League, ku të enjten presin Bodo/Glimt, ndërsa më 13 shtator udhëtojnë te skuadra e sapongjitur në Bundesliga, Elversberg.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një avion luftarak i padukshëm “F-35A” i Forcave Ajrore të…