Lushaku-Sadriu: Kosova ndodhet në një periudhë historike, vendi duhet të ketë institucione

11 shtator 2026 | 12:13

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se partia e saj nuk e ka kontestuar vullnetin e deputetëve për të përkrahur apo jo kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga partitë opozitare.

Lushaku-Sadriu ka thënë se LDK-ja beson se e drejta për të propozuar nënkryetarin i takon ekskluzivisht partisë politike, duke theksuar se ky parim është respektuar edhe në rastin e partive të tjera.

“Në emër të LDK-së, ne nuk e kontestuam vullnetin e asnjë deputeti të Kuvendit të Kosovës për të përkrahur apo mos përkrahur një nënkryetar nga partitë opozitare. Por gjithsesi besojmë thellë se propozimi ynë për nënkryetar i takon ekskluzivisht partisë”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka shtuar se, në votimin individual për secilin kandidat për nënkryetar, LDK-ja ka vendosur t’i mbështesë propozimet e grupeve parlamentare, për sa kohë që kandidatët nuk kanë probleme me ligjin.

“Ne në votimin individual për secilin nënkryetar morëm vendim që t’i përkrahim propozimet e grupeve parlamentare, të cilat janë propozime të partive politike dhe nuk kanë problem me ligjin”, ka thënë Lushaku-Sadriu.

Duke folur për vazhdimin e seancës konstituive, deputetja e LDK-së ka thënë se pret që, pas konsultimeve dhe ndërprerjes së seancës, deputetët të rikthehen për të vazhduar procesin e konstituimit të Kuvendit.

“Pres që pas konsultimeve dhe ndërprerjes, të kthehemi në seancë dhe ta vazhdojmë me konstituimin. Dua të them edhe një herë që nuk ka dyshim që konstituimi është tepër i rëndësishëm”, ka deklaruar ajo.

Lushaku-Sadriu ka theksuar se Kosova ndodhet në një periudhë të rëndësishme, veçanërisht me afrimin e 16 shtatorit, duke shtuar se pas një periudhe të gjatë pa funksionalizim të plotë institucional, institucionet duhet të kthehen sa më shpejt në funksion.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanë dalë në shitje biletat e rezervuara për tifozët shqiptarë…