Fetahu: Kuvendi nuk është konstituuar, kërkojmë ndërhyrjen e Kushtetueses

14 shtator 2026 | 11:08

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e përfaqësuar nga kryetari i Grupit Parlamentar, Arian Tahiri, deputeti Përparim Gruda dhe avokati Faton Fetahu, ka deponuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Avokati Faton Fetahu, pas dorëzimit të kërkesës, ka thënë se PDK-ja ka ngritur tri çështje që i konsideron fundamentale.

“Sot ngritëm në Gjykatën Kushtetuese tri çështje fundamentale. Në thelbin e kërkesës që parashtruam sot janë tri çështje të cilat e përbëjnë objektin e kësaj kërkese. E para: vendimi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. E dyta: vendimi procedural për të ndryshuar mënyrën e votimit për sa i përket nënkryetarëve të Kuvendit. Dhe e treta: ngritëm çështjen e konstatimit jokushtetues mbi konstituimin e Kuvendit pa një anëtar të Kryesisë nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar”, ka thënë Fetahu.

Ai ka deklaruar se PDK-ja e konteston edhe mënyrën se si janë zhvilluar seancat konstituive, duke pretenduar se është shkelur afati kushtetues 30-ditor dhe se seancat nuk janë mbajtur në intervalet e përcaktuara.

“E para, në lidhje me dështimin që Kuvendi të konstituohet brenda afatit 30-ditor, përkatësisht zgjedhja e kryetarit të Kuvendit në shkelje të këtij afati. Së dyti, mosmbajtja e seancave konstituive, apo mbështetja e përpjekjeve që brenda këtij afati kushtetues të mbahen seancat siç i përcakton Kushtetuta, Rregullorja e Punës së Kuvendit dhe gjykimet e Gjykatës Kushtetuese, përkatësisht çdo 48 orë”, ka deklaruar ai.

Fetahu ka theksuar se, sipas PDK-së, Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e të gjithë anëtarëve të Kryesisë.

“Për sa i përket shkeljeve të evidentuara nga ana jonë, ose të pretenduara nga ana jonë, në lidhje me çështjen e zgjedhjes së anëtarëve të Kryesisë, përkatësisht konstatimit se Kuvendi është konstituar, ne konsiderojmë që Kuvendi nuk është konstituar, sepse këtë e thotë edhe Kushtetuta, edhe Rregullorja e Punës së Kuvendit, edhe arkivat e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Fetahu.

Ai ka folur edhe për mospjesëmarrjen e deputetëve të PDK-së në seancën ku janë zgjedhur anëtarët e tjerë të Kryesisë, duke thënë se kjo nuk nënkupton heqje dorë nga e drejta e PDK-së për të propozuar kandidatin e saj.

“PDK-ja, përkatësisht grupi parlamentar i PDK-së, asnjëherë nuk ka hequr dorë nga e drejta për ta propozuar këtë. Fakti që nuk ka marrë pjesë në seancën ku është bërë zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë, nuk nënkupton se ky është refuzim për të parashtruar kandidaturën e saj, por duhet parë në tërësinë e veprimeve të saj”, ka deklaruar ai.

Sipas Fetahut, PDK-ja ka kërkuar në vazhdimësi mbajtjen e seancave konstituive dhe, për qëllim të adresimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese, ka vendosur të mos e paraqesë kandidaturën e saj për nënkryetar.

“Grupi parlamentar i PDK-së, nga pikëpamja juridike, ka parashtruar në mënyrë të vazhdueshme kërkesa në Kuvendin e Kosovës që seanca të mbahet. Kështu që, parë në tërësi, mozaiku i të gjitha zhvillimeve, refuzim nuk mund të konsiderohet mosparaqitja fizike e deputetëve tanë në sallën e Kuvendit, sepse të njëjtët kanë paraprakisht paralajmëruar se, për qëllimet e sqarimit dhe parashtrimit në Gjykatën Kushtetuese, do të përmbahen nga dhënia e propozimit të tyre, një e drejtë ekskluzive kjo kushtetuese”, ka thënë Fetahu.

Ai ka shtuar se PDK-ja pret që Gjykata Kushtetuese ta shpallë kërkesën të pranueshme dhe të konstatojë shkelje kushtetuese.

“Kështu që ne besojmë që ky rast do të konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese me shkelje kushtetuese. Kjo kërkesë do të shpallet e pranueshme dhe, mbi të gjitha, është nevojë e domosdoshme, për shkak të evitimit të dëmeve të pariparueshme dhe për shkak të respektimit të interesit publik, të vendoset sa më parë masa e përkohshme”, ka deklaruar ai.

Fetahu ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme, duke u thirrur në praktikën e mëhershme të kësaj gjykate në raste që lidhen me konstituimin e Kuvendit.

“Vendosja e kësaj mase të përkohshme bazohet edhe në vetë praktikën e kësaj gjykate, të cilën e ka ndjekur deri në vitet që shkoi. Sa herë ka pasur raste të konstituimit pranë kësaj gjykate, gjithherë Gjykata Kushtetuese ka vendosur masa të përkohshme. Njëjtë presim edhe kësaj radhe, në mënyrë që të evitohen pasojat e pariparueshme”, ka përfunduar Fetahu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Prishtinës,…