Kadrijaj: Aleanca do t’i bashkohet nismës për zhbërjen e Gjykatës Speciale

16 shtator 2026 | 22:30

Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, e ka cilësuar si “ofendues” dhe “indinjues” aktgjykimin dënues të shqiptuar nga trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një lidhje direkte për emisionin “Kënd i Debatit” Kadrijaj tha se, sipas saj, Gjykata Speciale është “puro politike” dhe se procesi është ngritur mbi materiale që, siç pretendoi ajo, kanë origjinë nga Serbia.

“Ofendues, indinjues, marre për këtë gjykim që iu ka bërë luftës së drejtë të UÇK-së dhe krerëve të UÇK-së. Ata nuk i kanë dënuar në emër të popullit, por në emër të politikës. Për ne, kjo gjykatë është puro politike. Është hartuar me dosje që i ka bërë Serbia me disa shqipfolësa dhe ky është rezultati. Ne besojmë në pafajësinë e tyre. Kosova ka bërë luftë të drejtë dhe çlirimtare. Ky është verdikti, populli e ka dhënë verdiktin duke i shpallur të pafajshëm katër krerët e UÇK-së”, deklaroi Kadrijaj.

E pyetur se çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës në vazhdim të procesit gjyqësor, veçanërisht në fazën e apelit, deputetja kritikoi institucionet shtetërore për mënyrën se si, sipas saj, janë angazhuar deri më tani.

“Kosova nuk ka institucione. Ndoshta do të vetëdijesohen prej nesër, sepse deri sot nuk kanë qenë në shërbim të qytetarëve dhe të krerëve të UÇK-së, të cilët po mbahen padrejtësisht në Hagë dhe sot u dënuan padrejtësisht. Shpresojmë që do të reflektojnë. Të shohim”, tha ajo.

Kadrijaj bëri të ditur gjithashtu se Aleanca do t’i bashkohet nismës për mbledhjen e nënshkrimeve për zhbërjen e Gjykatës Speciale.

“Ne do t’i bashkohemi asaj nisme për mbledhjen e nënshkrimeve për zhbërjen e Gjykatës Speciale. Ta shohim a do të kalojë Vetëvendosje prej fjalëve në vepra, pra a do t’i bashkohet kësaj nisme, a do t’i dorëzojë nënshkrimet dhe a do ta votojë”, u shpreh ajo.

Ndërsa, e pyetur nëse e sheh të mundshme zhbërjen e Gjykatës Speciale përmes Kuvendit të Kosovës, Kadrijaj tha se kjo duhet të bëhet, duke përsëritur qëndrimin e saj se gjykata nuk përfaqëson, sipas saj, të drejtat e popullit shqiptar.

“Po, le të zhbëhet, meqenëse nuk është se përfaqëson të drejtat e popullit shqiptar. Megjithatë, ju e dini se asnjëherë nuk kanë dhënë llogari dhe nuk i janë përgjigjur asnjë institucioni të Kosovës. Le të zhbëhet, se nuk munden në emër të popullit të Kosovës t’i dënojnë çlirimtarët”, deklaroi Kadrijaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Peticioni që është shpërndarë sot në emër të platformës qytetare…