Jagxhiu në Kroaci: Kosova synon avancimin e ekosistemit digjital shëndetësor

17 shtator 2026 | 14:54

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ka zhvilluar takime me institucionet kryesore të Kroacisë përgjegjëse për digjitalizimin e shëndetësisë, në kuadër të qëndrimit të tij zyrtar në këtë shtet.

Jagxhiu ka bërë të ditur se takimet me përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit Kroat të Sigurimit Shëndetësor (HZZO) u zhvilluan në kontekstin e implementimit të projektit KOMPAS, të financuar nga Banka Botërore.

Sipas tij, përmes këtij projekti, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, është duke ndërtuar shtyllat kryesore të ekosistemit të informacionit shëndetësor në Kosovë.

Gjatë takimeve është diskutuar përvoja e Kroacisë në zhvillimin dhe funksionimin e shërbimeve digjitale shëndetësore, përfshirë e-reçetat, e-referimet, regjistrat elektronikë shëndetësorë dhe platformat kombëtare të informacionit shëndetësor.

Po ashtu, temë e diskutimeve ka qenë interoperabiliteti i sistemeve, përdorimi i identitetit elektronik dhe shkëmbimi ndërkufitar i të dhënave shëndetësore.

Me drejtuesit e HZZO-së, sipas Jagxhiut, është diskutuar edhe roli i sistemeve digjitale në zbatimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore.

Ministri ka vlerësuar se shkëmbimi i përvojave institucionale dhe teknike me Kroacinë është i rëndësishëm për avancimin e ekosistemit digjital shëndetësor në Kosovë.

Ai ka thënë se ky proces synon përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët, avancimin e menaxhimit, efikasitetit dhe llogaridhënies në institucionet shëndetësore, si dhe forcimin e politikëbërjes së bazuar në të dhëna.

Në fund, Jagxhiu ka falënderuar ekipin e Bankës Botërore për fasilitimin e bashkëpunimit me ekosistemin e e-shëndetësisë në Kroaci.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, ka mirëpritur idenë e një…