Jashari u bën thirrje familjeve të dëshmorëve t’i bashkohen protestës së nesërme
Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, u ka bërë thirrje familjeve të dëshmorëve që t’i bashkohen protestës gjithëpopullore që do të mbahet nesër në Prishtinë.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka thirrur protestë për të premten, në orën 12:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Protesta vjen pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të shpallur më 16 shtator.
Jashari e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe ka deklaruar se ai prek jo vetëm ish-krerët e UÇK-së, por edhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shtetësinë e Kosovës.
“Një vendim që, përveç që ishte i turpshëm për drejtësinë ndërkombëtare dhe botërore, e cila nxori një vendim në bazë të pretendimeve, jo vetëm që goditi figurat, por goditi luftën e UÇK-së, goditi rëndë edhe vetë shtetësinë e Kosovës. Organizatat e dala nga lufta qëndrojnë fort në vendimet dhe qëndrimet e tyre, që nga fillimi, kur e kemi kundërshtuar një gjykatë të tillë. Por, për të mos i përsëritur gjërat, unë, si udhëheqës i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, do t’u bëja thirrje edhe familjeve që të reagojnë”, ka thënë Jashari.



