Pjetër Shala ngre alarmin për shkelje të të drejtave nga Specialja, dorëzon ankesë në Kushtetuese
Pjetër Shala, i dënuar në shkallën e dytë nga Dhomat e Specializuara me 13 vjet burgim, është ankuar në Gjykatën Kushtetuese, e cila funksionon si njësi brenda Dhomave të Specializuara.
Shala pretendon se gjatë procesit janë shkelur të drejtat e tij për një gjykim të drejtë. Ankesa lidhet me urdhrin për dëmshpërblimin e viktimave në shumën prej 208 mijë eurosh, i cili, sipas mbrojtjes, është dhënë para se vendimi për dënimin e tij të kishte marrë formë të prerë.
“Mbrojtja ishte e detyruar të paraqiste Njoftimin e Apelit kundër Urdhrit për Dëmshpërblim deri më 29 janar 2025, ndërsa Aktgjykimi i Apelit për themelin e çështjes u nxor vetëm më 14 korrik 2025 – disa muaj pas skadimit të afatit për Njoftimin e Apelit dhe për Parashtresën e Apelit të Mbrojtjes kundër Urdhrit për Dëmshpërblim, e cila duhej të dorëzohej më 14 mars 2025”, thuhet në ankesën e Shalës.

Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme kishin konstatuar se Shala kishte pasur mundësi kohore dhe procedurale për të paraqitur ankesën e tij lidhur me dëmshpërblimin e viktimave. Megjithatë, mbrojtja argumenton se vendimi për dëmshpërblim do të duhej të jepej vetëm pas vendimit të Gjykatës së Apelit për çështjen në tërësi.
Shala pretendon gjithashtu se Dhomat e Specializuara “nuk kanë faktuar në mënyrë të mjaftueshme lidhjen juridike dhe faktike ndërmjet krimeve për të cilat z. Shala është dënuar dhe kategorive të dëmit për të cilat ai është urdhëruar t’i kompensojë viktimat”.
“Vetë arsyetimi i Trupit Gjykues dëshmon rëndësinë e kësaj çështjeje. Sa i përket gjendjes shëndetësore të W04733, Trupi Gjykues pranoi se jo të gjitha aspektet e përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore ndër vite ishin rezultat i drejtpërdrejtë i krimeve. Megjithatë, ai arriti në përfundimin se brutaliteti i krimeve dhe gjendja e W04733 pas kthimit në shtëpi mund të ‘kenë pasur një efekt përkeqësues’ në shëndetin e tij”, thuhet në ankesë.

Pretendimet e Shalës lidhen edhe me shumën e përcaktuar për dëmshpërblimin e viktimave. Sipas tij, nuk ka prova të mjaftueshme që dëshmojnë lidhjen mes dëmit të shkaktuar dhe shumës së caktuar për kompensim.
“Urdhri për Reparacion caktoi 30,000 euro për shpenzimet mjekësore të W04733. Në materialin provues përfshihen vlerësime të shpenzimeve mjekësore, përfshirë dëshmi nga W04733 dhe W03/04. Trupi i Apelit vëren se W04733 dhe W03/04 kanë paraqitur vlerësime, ku njëri prej vlerësimeve arrinte deri në 150,000 euro. Ekzistenca e këtyre vlerësimeve nuk dëshmon se 30,000 euro ishte shuma e provuar. Prandaj, pyetja thelbësore është: pse 30,000 euro?”, thuhet në ankesë.

Pjetër Shala është dënuar me 13 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara. Fillimisht, në shkallën e parë, atij i ishin shqiptuar 18 vjet burgim, por në shkallën e dytë dënimi ishte ulur për pesë vjet.
Trupi Gjykues kishte urdhëruar Shalën të paguante 208 mijë euro si kompensim për dëmin fizik, mendor dhe material të shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat ai u shpall fajtor.
Vendimi për dëmshpërblimin ishte kundërshtuar nga Shala si në Apel, ashtu edhe në Supreme të Dhomave të Specializuara.



