Kurti në Nju-Jork kërkon bazë të përhershme amerikane në ‘Bondsteel’ dhe hapjen e arkivave nga Serbia

23 shtator 2026 | 11:56

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar në Nju-Jork një takim me kongresistin amerikan George Latimer, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurti ka bërë me dije se gjatë takimit është diskutuar për zhvillimin ekonomik, sigurinë, forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, si dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit.

Një nga çështjet e ngritura nga Kurti ka qenë edhe Kampi “Bondsteel”. Ai ka ritheksuar qëndrimin që kampi të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane, duke e cilësuar këtë si një masë në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në rajon.

Në takim është diskutuar edhe për personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, varrezat masive dhe nevojën për deklasifikimin e dokumentacionit dhe hapjen e arkivave nga Serbia.

Kurti ka ngritur gjithashtu çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke folur për, siç është shprehur ai, diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave të tyre.

Në prag të trevjetorit të sulmit në Banjskë, Kurti ka thënë se me Latimerin kanë diskutuar edhe për Milan Radoiçiqin dhe nevojën që ai dhe personat e tjerë përgjegjës të përballen me drejtësinë në Kosovë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë i çmuar. Jemi thellësisht mirënjohës për miqësinë tonë të qëndrueshme dhe mbështetjen dypartiake që shteti ynë gëzon në Kongresin amerikan”, ka shkruar Kurti në rrjetet sociale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë do të vazhdojë…