Rama: Ende e dashurojmë BE-në, mos e lini në baltë Ballkanin
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë në Konferencën Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, ku është ndalur edhe te klima sociale dhe politike në vend.
Duke iu referuar protestave të “Revolucionit Flamingo”, Rama ka thënë se ato janë bërë një shembull i rritjes së pritshmërive të qytetarëve shqiptarë.
“Jam i sigurt që ju jeni argëtuar mjaft kohët e fundit me flamingot”, ka thënë Rama, duke shtuar se Shqipëria ka bërë përparim gjatë dekadës së fundit dhe se qytetarët tashmë presin më shumë nga vendi.
Sipas kryeministrit, Shqipëria ka kaluar nga një periudhë ku njerëzit mendonin se gjërat mund të përkeqësoheshin, në një fazë ku besojnë se gjërat mund të bëhen më mirë.
“Ky është revolucion i rritjes së pritshmërive. Njerëzit e kanë kuptuar që vendi e ka aftësinë për të kërcyer edhe më lart, të bëhet komplet ndryshe”, është shprehur ai.
Rama ka folur edhe për shqetësimet e qytetarëve, duke përmendur pasiguritë, ankthin dhe atë që e ka cilësuar si përhapje të lajmeve të pasakta dhe teorive konspirative.
Në fjalën e tij, kryeministri ka theksuar se, ndryshe nga disa vende anëtare të BE-së, shqiptarët vijojnë ta shohin anëtarësimin në Bashkimin Evropian si një objektiv të rëndësishëm.
“Ende e dashurojmë BE-në”, ka deklaruar Rama, duke shtuar se, pavarësisht debateve dhe mosdakordësive të brendshme, për një çështje shqiptarët janë të bashkuar.
“Për një gjë kemi rënë të gjithë dakord: për faktin që duam të jemi pjesë e Evropës dhe e dashurojmë Evropën”, ka thënë ai.
Në përfundim, Rama u ka bërë thirrje vendeve evropiane për avancimin e procesit të zgjerimit.
“Unë shpresoj shumë që mos të na lini përsëri në baltë sepse shkon përtej, është të lësh në baltë edhe vetveten. Nëse Evropa do të lërë në baltë BE, do të jetë dështimi më madhor”, është shprehur kryeministri Rama.



