Kurti dhe Hamza takohen sot pasdite

02 tetor 2026 | 16:06

Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, do të zhvillojnë sot pasdite një takim, ku pritet të diskutohet zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës, por edhe propozimet për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Takimi është caktuar të nisë në orën 16:30, ndërsa zhvillohet në një kohë kur institucionet kanë afat të kufizuar për arritjen e një marrëveshjeje rreth presidentit.

PDK-ja e ka lidhur mbështetjen për zgjedhjen e presidentit me procedimin e ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Specialen. Në anën tjetër, Qeveria është në pritje të një opinioni ligjor nga Ministria e Drejtësisë lidhur me këto ndryshime.

Kurti ka deklaruar të premten se tashmë kanë nisur komunikimet për të gjetur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar këtë fundjavë si vendimtare. Megjithatë, ai nuk është deklaruar konkretisht nëse çështja e ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale do të jetë pjesë e marrëveshjes.

Sipas propozimit të PDK-së, mandati i Gjykatës Speciale do të kufizohej në trajtimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dick Martyt, ndërsa parashihet edhe vendosja e një mekanizmi ndërkombëtar për monitorimin e punës së saj.

Për rastet e krimeve të luftës për të cilat janë dënuar katër ish-krerë të UÇK-së, projektligji parasheh që procedurat gjyqësore të zhvillohen në Kosovë.

Nëse presidenti i ri nuk zgjidhet deri më 6 tetor, vendi shkon në zgjedhje të reja, të cilat, sipas afateve kushtetuese, duhet të mbahen jo më vonë se 15 nëntori.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim mirëseardhës ambasadorin e…