Ish-ministri Aliu: Prokuroria Speciale ka pushuar hetimet ndaj meje, mirëpres vendimin
Prokuroria Speciale ka pushuar hetimet ndaj ish-ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Aliu përmes një postimi në rrjetet sociale.
Ai ka thënë se vendimi për pushimin e hetimeve është marrë më 11 shtator, ndërsa, sipas tij, është bërë i ditur mëngjesin e 2 tetorit nga avokati i tij.
Aliu ka deklaruar se procesi hetimor kishte nisur rreth dy vjet më parë dhe se gjatë kësaj periudhe ishte përballur me, siç i ka quajtur ai, “spekulime të shumta mediatike”.
“Përpos punës sime si ministër, është hetuar edhe pasuria ime dhe e gjithë familjes time, të hyrat përgjatë viteve, të cilat kanë qenë po ashtu të deklaruara që nga fillimi i vitit 2011, në vazhdimësi deri më sot”, ka shkruar Aliu.
Ish-ministri ka thënë se gjatë hetimeve është përballur me akuza dhe sulme publike, ndërsa ka theksuar se kishte zgjedhur të mos reagonte.



