Lushtaku: Nesër jam veç UÇK, jo PDK – mosvotimi i ligjit është tradhti ndaj sakrificës
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka bërë thirrje për unitet dhe përkrahje të Ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke theksuar se çështja e nesërme duhet të tejkalojë përkatësitë partiake dhe interesat politike.
Përmes një postimi në Facebook, Lushtaku ka deklaruar se nesër do të jetë në mbështetje të UÇK-së dhe jo të PDK-së, duke vlerësuar se çdo veprim që çon drejt neglizhimit, vonimit apo mosvotimit të ligjit në të dy leximet përbën, sipas tij, tradhti ndaj sakrificës mbi të cilën u ndërtua liria e Kosovës.
Ai ka kritikuar drejtuesit politikë që, sipas tij, po tregojnë më shumë vullnet për të luftuar për pushtet dhe pozita sesa për të mbrojtur vlerat e luftës çlirimtare, duke rikujtuar se nesër është dita për të dëshmuar respektin ndaj dëshmorëve, luftëtarëve dhe sakrificës së popullit të Kosovës.
Postimi i tij i plotë:
Nesër jam veç UÇK, jo PDK.
Andaj, çdo veprim që çon drejt neglizhimit, vonimit apo mosvotimit të ligjit në të dy leximet, për mua është tradhti ndaj sakrificës mbi të cilën u ndërtua liria jonë.
E di se fjala “tradhti” duket e rëndë. Por edhe më e rëndë është kur ata që udhëheqin në emër të popullit gjejnë më shumë forcë, kohë dhe vullnet për të luftuar për karrige e pushtet, sesa për të mbrojtur sakrificën e popullit, luftën e UÇK-së, lirinë dhe shtetin tonë.
Nesër nuk është dita e partive. Është dita për të dëshmuar se sa seriozisht e respektojmë UÇK-në, dëshmorët, luftëtarët, sakrificën dhe lirinë e Kosovës.
UÇK-ja duhet të na bashkon!



