Shkodra: Burgjet kanë marrë mijëra vite nga jeta e shqiptarëve, institucionet duhet ta mbrojnë të vërtetën e luftës
Zyrtari i PDK-së, Kushtrim Shkodra, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke folur për historinë e represionit ndaj shqiptarëve në Kosovë, sakrificën për liri dhe proceset gjyqësore ndaj pjesëtarëve të UÇK-së.
Shkodrës i është referuar librit “Të burgosurit politikë shqiptarë në Kosovë 1945–1990” të historianes Sabile Keçmezi-Basha, duke theksuar se, sipas të dhënave të dokumentuara në këtë vepër, shqiptarët në ish-Jugosllavi kanë vuajtur gjithsej 66 mijë e 672 vjet e 7 muaj burgim.
Ai ka përmendur pasojat që, sipas tij, represioni shtetëror pati mbi familjet shqiptare, duke theksuar se shumë prindër nuk arritën t’i shihnin fëmijët e tyre duke u rritur, ndërsa familjet u përballën me vite të tëra pritjeje dhe pasigurie.
Sipas Shkodrës, shtypja ndaj shqiptarëve vazhdoi me heqjen e autonomisë, përjashtimet nga puna dhe arsimi, dhunën policore dhe, më pas, luftën.
Në postimin e tij, ai ka përmendur edhe masakrat në Prekaz, Reçak, Mejë dhe Krushë, duke thënë se janë dokumentuar më shumë se 400 masakra gjatë luftës në Kosovë.
Shkodra ka theksuar se bilanci i luftës dhe pasojave të saj përfshin mbi 13 mijë të vrarë ose të zhdukur, mes tyre më shumë se 1 mijë e 400 fëmijë, rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale, si dhe dëbimin e mijëra familjeve dhe shkatërrimin e pronave.
Ai ka thënë se nga kjo histori e represionit dhe qëndresës lindi UÇK-ja, ndërsa në luftën për çlirim, sipas tij, në krah të saj u rreshtuan SHBA-ja, NATO-ja dhe vendet evropiane.
Një pjesë të rëndësishme të reagimit, zyrtari i PDK-së ia ka kushtuar proceseve gjyqësore ndaj pjesëtarëve të UÇK-së.
“Burgjet vazhduan të marrin vite nga jetët e pjesëtarëve të UÇK-së”, ka shkruar Shkodra, duke pretenduar se dënimet në proceset nën UNMIK dhe EULEX arrijnë në rreth 640 vjet burg për pjesëtarët e UÇK-së.
Ai ka përmendur edhe dënimet në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, duke i përmbledhur ato në 109 vjet burgim.
Shkodra ka bërë thirrje që institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë të angazhohen përmes argumenteve juridike, dokumentimit historik dhe diplomacisë për, siç ka thënë ai, mbrojtjen e së vërtetës historike.
“Mbrojtja e luftës çlirimtare dhe e së vërtetës sonë historike është përgjegjësi shtetërore”, ka shkruar ai.
Në fund të postimit, Shkodra ka ngritur pyetjen se çfarë duhet të bëjë më shumë shoqëria për lirinë e fituar dhe ka theksuar se sakrifica e bërë për çlirim nuk duhet të shndërrohet në heqje dorë nga e vërteta historike.
“Lirinë e kemi paguar me jetë, me burg dhe me dhimbje që vazhdon. Askush nuk duhet të na kërkojë ta paguajmë edhe me heqjen dorë nga e vërteta jonë”, ka përfunduar ai.



