Një virus godet Kombëtaren Suedinë, 11 lojtarë sëmuren, izolime dhe largime nga kampi
Një virus ka goditur rëndë kombëtaren suedeze, duke e kthyer grumbullimin për Ligën e Kombeve në një situatë të pazakontë për trajnerin Graham Potter.
Pesë lojtarë janë detyruar të tërhiqen para barazimit 1-1 me Bosnjën, ndërsa për shkak të sëmundjeve dhe dëmtimeve, Potter ka mbetur me plot 11 mungesa për sfidën e zhvilluar në Zenicë.
Mjeku i kombëtares suedeze, Jonas Werner, e ka përshkruar gjendjen e lojtarëve si të ngjashme me gripin ose një ftohje të rëndë.
Futbollistët e prekur janë izoluar në dhomat e tyre, ndërsa stafi mjekësor ka marrë masa për të kufizuar përhapjen e infeksionit në pjesën tjetër të skuadrës.
Situata ka qenë aq e rënduar sa federata suedeze është detyruar të thërrasë përforcime emergjente.
Në grumbullim janë bashkuar Felix Beijmo, Samuel Dahl, Hugo Bolin, Ken Sema dhe Eric Smith.
Pavarësisht të gjitha problemeve, Suedia ka arritur të marrë një pikë në Bosnje. Viktor Gyökeres i ka kaluar suedezët në avantazh në minutën e 61-të, por Kerim Alajbegoviç ka barazuar dhjetë minuta para fundit.
Trajneri Graham Potter e ka konsideruar ndeshjen “të jashtëzakonshme”, duke pasur parasysh kushtet në të cilat skuadra e tij është përballur me Bosnjën.
Problemet, megjithatë, nuk kanë përfunduar pas ndeshjes. Stroud dhe Wålemark janë larguar nga grumbullimi, ndërsa Ayari, Nygren dhe Lagerbielke vazhdojnë të rikuperohen dhe mbeten në dyshim.
Suedia kryeson grupin me 7 pikë, pas dy fitoreve dhe një barazimi, dhe ka arritur një seri prej 10 ndeshjesh pa humbje në Ligën e Kombeve, përcjell “TCH”.
Tani, sfida e fundit e kësaj dritareje ndërkombëtare është edhe më e komplikuar.
Suedia do të përballet të hënën, më 5 tetor, me Rumaninë në Bukuresht, ndërsa Potter duhet të menaxhojë një skuadër të goditur nga virusi dhe dëmtimet.



